Zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme hetohen për tenderin me uniformat e policisë

Tiranë, 11 korrik 2021 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka zgjeruar hetimet për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.

Balkanweb raporton se, pas arrestimit të 9 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, në hetim janë përfshirë edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie.

Sipas Prokurorisë se Posaçme, 9 të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues.

I gjithë procesi është shoqëruar më dritë-hije, pasi është anuluar dhe rihapur si garë, ka patur ndryshime të specifikimeve teknike e të pjesëmarrësve, derisa në korrik të viti të shkuar ishte përmbyllur duke e shpallur fitues një konsorcium të udhëhequr nga kompania D&E, me administrator Ismail Kadiun.

Shkelja e parë e kryer nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme është procedura e tenderit.

Së dyti, ata kanë bashkuar tri objekte në një, çka do të thotë se një kompani mund të kualifikohej, nëse kryente shërbime për të paktën 3 zëra.

Së treti, zyrtarët e ministrisë kanë ndërhyrë në zërat e tenderit në mënyrë që të përshtateshin me ofertën e kompanisë që e ka fituar tenderin.

Dëshmia me e fortë kundër të arrestuarve është ajo e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, i cili mësohet se kishte dalë kundër tenderit të uniformave dhe, madje, nuk kishte pranuar ta firmoste atë.

Procedurat për këtë tender, me vlerë prej afro 28 milionë dollarësh, kanë nisur që në vitin 2019.

Nëntë zyrtarët e arrestuar pritet të dalin të hënën përpara gjykatës, për shqiptimin e masës së sigurisë. Të gjithë akuzohen për “Shkelje të barazisë në tendera”.

(r.m.)

Comment

*