Zyrtarët evropianë: Rusia po e përdor gazin për shantazh

Bruksel, 27 prill 2022 – Zyrtarët evropianë e cilësojnë si “provokim të radhës” vendimin e Ruusisë për ndërprerjen e furnizmimit me gaz natyror të Bullgarisë dhe Polonisë dhe kërcënimin se do të ndërpresë furnizimet edhe për vende të tjera.

Ata thanë se Moska po e përdor gazin si shantazh për reagimin e Bashkimit Evropian ndaj agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen tha se njoftimi i kompanisë Gazprom për ndaljen e njëanshme të dërgesave të gazit është një provokim tjetër nga Kremlini.

“Nuk është habi që Kremlini shfrytëzon karburantet fosile në përpjekje për të na bërë shantazh”, tha zonja Von der Leyen ndërsa shtoi se “Kremlini dështoi në përpjekjet për përçarjen e vendeve anëtare të Bashkimit Evropain dhe se epoka e energjisë ruse në Evropë po shkon drejt fundit”, tha Von der Leyen.

Zyrtarja e lartë evropiane paralajmëroi edhe një paketë tjetër të sanksioneve kundër Moskës dhe se Bashkimi Evropian angazhohet për të ndihmuar Poloninë dhe Bullgarinë të furnizohen meenergji nga burime të tjera.

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, tha se vendi i tij nuk do të nështrohet para Moskës, pavarësisht prej kostos që do të paguajë.

“Ne nuk do të nënshtrohemi. Bullgaria po shqyrton të gjitha marrëveshjet me Gazpromin, duke përfshirë atë të tranzitit përmes vendit tonë, sepse shantazhi i është i papranueshëm”, tha Petkov.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, paralajmëroi ndërmarrjen e veprimeve ligjore kundër Gazpromit për shkelje të kontratës.

Ndërkaq, Kryeministri Mateusz Morawiecki tha se furnizimet me gaz në Poloni janë të sigurta, pavarësisht vendimit të Rusisë.

“Ne do të jemi në gjendje të mbrojmë ekonominë, familjet dhe qytetarët tanë kundër masave të ashpra të Rusisë”, tha Morawjecki gjatë një vizite në Berlin.

Por, Rusia i mohoi akuzat se gazin natyror po e  përdor si mjet shantazhi.

Zëdhënësi i Kremlimit Dmitry Peskov nuk pranoi të thotë se cilat vende janë pajtuar të bëjnë pagesat në rubla, në përputhje me dekretin e presidentit rus Putin.

“Nëse disa klientë refuzojnë të paguajnë me sistemin e ri, atëherë sigurisht se do të zbatohet dekreti i ri”, tha zoti Peskov.

Evropa importon nga Rusia sasi të mëdha të gazit natyror për ngrohjen e banesave, për prodhimin e energjisë elektrike dhe për industrinë e naftës. Evropa ka vazhduar të importojë gaz dhe naftë nga Rusia pavarësisht nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

(r.m.)

Comment

*