10 milionë ukrainas do të dynden në Europë, në rast të mungesës së ndihmës për Ukrainën

Berlin, 12 shkurt 2024 – Në një skenar potencial në rast të shpërbërjes të Ukrainës, 10 milionë vetë do ta braktisnin vendin, sipas disa qarqeve të sigurisë në Gjermani. Shumica e refugjatëve do të vinin në Europë.

Rreth 10 milionë ukrainas do ta braktisnin vendin në rast të shpërbërjes eventuale të Ukrainës. Shumica e refugjatëve do të vinin në Europë. Gjermania do të ishte destinacioni kryesor.

Kjo është një prognozë e qeverisë gjermane, sipas gazetës “Welt am Sonntag”, e cila u referohet qarqeve gjermane të sigurisë dhe disa parlamentarëve.

Politikani i CDU, Roderich Kiesewetter e shikon sot Europën më shumë se kurrë më parë para përgjegjësisë që duhet të marrë për Ukrainën. Vendet mbështetëse të Ukrainës duhet të rrisin ndjeshëm ndihmën ushtarake për Ukrainën, sidomos para hezitimit amerikan.

“Nëse ne nuk e ndryshojmë strategjinë tonë të mbështetjes për Ukrainën, skenari “worst case” i një eksodi masiv nga Ukraina dhe një zgjerim i luftës drejt vendeve të tjera të NATO-s bëhet më realist. Atëherë 10 milionë refugjatë janë supozimi më i vogël”, ka thënë Kieseweter për “Welt am Sonntag.

Edhe studiuesi i migracionit, Gerald Knaus, e ndan këtë qëndrim.

“Nëse Ukraina e humbet luftën, në BE mund të vijnë më shumë se 10 milionë refugjatë. Që tani kjo është lëvizja më e madhe e refugjatëve në Europë që nga vitet 1940-të”, ka thënë ai

Kurse Michael Roth (SPD), kryetar i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut paralajmëron pasoja për Evropën, në rast se mbështetja e deritashme për Ukrainën nuk do të mjaftonte. Ai ka thënë se Europa duhet ta rrisë mbështetjen, nëse SHBA-ja nuk do ta vazhdojë përkrahjen për Ukrainën.

“BE duhet në këtë rast të mendojë për marrjen e borxheve të reja, së pari për të mbështetur financiarisht Ukrainën në një plan afatgjatë, së dyti, për të rritur sa më shpejt prodhimin armatimit në Eurpë dhe, së treti, për të blerë pajisje luftarake, sidomos municion, jo vetëm në tregun europian por edhe në tregjet botërore”, ka thënë Roth.

Sipas inspektorit të përgjithshëm të ushtrisë gjermane, Carsten Breuer, Bundeswehri do t’ia kalojë disa kompetenca ushtarake NATO-s, më vonë se sa ishte planifikuar.

 “Duhet të jemi të sinqertë në të gjitha nivelet”, ka thënë Breuer për “Welt am Sonntag”.

“Disa gjëra ushtria gjermane mund t’i ofrojë tani, disa të tjera vetëm pas tre ose katër vjetësh”, ka thënë funksionari i Bundeswehrit.

Me gjithë problemet aktuale, qeveria gjermane është e mendimit se Ukraina i ka mjetet ushtarake dhe financiare për të siguruar mbrojtjen dhe stabilitetin e vendit deri në fund të vitit 2024. Por, shërbimet e inteligjencës në Gjermani dhe analistët perëndimore nuk presin suksese të mëdha në front këtë vit.

(r.m.)

Comment

*