15 të vrarë dhe 24 të plagosur, në një sulm me armë në Universitetin e Pragës

Pragë, 21 dhjetor 2023 – 15 persona janë vrarë dhe 24 janë plagosur rëndë, si pasojë e një sulmi me armë zjarri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit, në Pragë të Republikës Çeke.

Policia ka thënë se sulmuesi, 24-vjeçar, ka qenë student i universitetit dhe sulmi ka qenë i paramenduar.

Trupi i pajetë i tij është gjetur në ambientet e universitetit.

Policia ka thënë se ai ka qenë prej një fshati, 21 kilometra larg Pragës.

Sipas Policisë, babai i të dyshuarit është gjetur i vdekur më herët gjatë ditës.

Shefi i policisë Martin Vondrashek, ka thënë se shifrat e viktimave mund të mos jenë përfundimtare. Ai ka thënë se sulmuesi është inspiruar prej sulmeve të ngjashme që kanë ndodhur jashtë shtetit.

Ministri i Brendshëm Vit Rakushan, ka thënë se “nuk ka sinjale që krimi ka pasur lidhje me terrorizëm ndërkombëtar”.

Policia e ka evakuuar një ndërtesë, por i dyshuari ka shtënë në ndërtesën tjetër.

Shefi i policisë ka thënë se i dyshuari 24-vjeçar, është supozuar të jetë larguar prej shtëpisë së tij në Hostun, qytezë afër Pragës, për të shkuar në fakultet.

Disa studentë kanë treguar në platformën X – të njohur më parë si Twitter, se kanë mbyllur dyert me mjete të ndryshme për të parandaluar sulmuesin.

Një email që i është dërguar stafit të universitetit, që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, ka paralajmëruar personelin për të shtënat.

“Qëndroni në vend, mos shkoni askund nëse jeni nëpër zyra, mbyllni dyert me orendi dhe ndalni dritat”.

Policia u ka kërkuar banorëve të Pragës që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Autoritetet e kanë mbyllur gjithë sheshin Jan Palah, ku është ndërtesa e fakultetit, dhe zonën përreth.

Dinamika e ngjarjes:

  • Në orën 12:40 policia e ka gjetur trupin e pajetë të babait të tij në shtëpi.
  • Policia, më pas, e ka kuptuar se i dyshuari mund të ketë shkuar në një ligjëratë në universitet në orën 14:00 dhe ata kanë shkuar aty dhe kanë kërkuar evakuim të ndërtesës.
  • Megjithatë, i dyshuari ka shkuar në një tjetër ndërtesë të universitetit dhe ka nisur sulmin.
  • Policia e ka pranuar lajmin për sulm në orën 14:59.
  • Policia ka arritur aty brenda minutave me një ekip të specializuar prej 12 personave.
  • Në orën 15:20, policia ka pranuar informacion që trupi i pajetë i sulmuesit është gjetur në ndërtesë.
  • Ndonëse sulmuesi besohet se ka kryer vetëvrasje, zyrtarët policorë kanë shtënë në drejtim të tij, andaj nuk dihet shkaktari i vdekjes. This image has an empty alt attribute; its file name is Police-te-armatosur-ne-balkonin-e-Universitetit-te-Karlit-Prage.jpg

Universiteti i Karlit është në qendër të Pragës, rreth 500 metra prej Urës historike të Karlit – atraksioni kryesor për turistët.

Krimet me armë janë të rralla në Republikën Çeke.

Në dhjetor të vitit 2019, një 42-vjeçar ka vrarë gjashtë persona në një qendër pritjeje në spital, në qytetin lindor Ostravë, para se të kryente vetëvrasje.

Presidenti çek, Petr Pavel, ka thënë se është i shokuar nga ngjarja dhe ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave.

Kryeministri çek, Petr Fiala, ka thënë se do t’i anulojë të gjitha planet, pas “ngjarjes tragjike”.

Liderët evropianë kanë shprehur ngushëllime për viktimat.

Ambasada e Kosovës në Çeki, u ka kërkuar të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë në Pragë, që t’i ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Ambasada ka thënë se të gjithë qytetarët mund të kërkojnë ndihmë konsullore në +420 257 217 775.

(Sipas REL)