24 mars 1999 – Dita e pritjes, ankthit, shpresës e besimit

Ramadan MUÇOLLI

(Me rastin e 25 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në mbrojtje të popullit të Kosovës)

 

 

24 marsi 1999 është njëra nga datat e shenjuara në kujtesën time…

Në fakt, nuk mbaj mend asgjë nga ajo ditë pune në QIK. Duhet të ketë qenë një ditë pune e zakonshme. 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, kishte njoftuar se çështjen ia kishte kaluar Komandës së Forcave Aleate për Evropë dhe Komandantit të saj, Gjeneralit amerikan Uesli Klark. Tashti ishte e qartë se NATO do të vepronte. Ishte vetëm çështje orësh kur pritej të fillonte operacioni.

Rreth orës 15, kur po përfundonim punën, para se të shpërndaheshim nëpër shtëpitë tona secili, e takova Xhemën para hyrjes së QIK-ut. E pyeta nëse kishte ndonjë ide apo plan se çfarë do të bënim nëse bombardimet do të fillonin atë mbrëmje. Duket që ai nuk e kishte pritur këtë pyetje. Më shikoi në sy, mendoi pak dhe i rrudhi krahët dhe buzët. I thashë se nuk ma merrte mendja se do të mund ta vazhdonim punën si zakonisht në kushte e rrethana që do të krijoheshin pas fillimit të bombardimeve. Së paku jo aty, në redaksinë e QIK-ut. Xhema e kuptoi çfarë desha të thosha. Përsëri mori pak kohë para se të thoshte çfarë mendonte.

“Ndoshta ke të drejtë, por tashmë është shumë vonë…”, më tha.

“Fundja, le të ndodhë çfarë është e shkruar të ndodhë”, shtoi, duke bërë një lëvizje me dorë në ajër që, mbase, do të thoshte: “lëre tani!”.

U përshëndetëm dhe u ndamë. Unë u nisa për në shtëpi, kurse ai drejt Zyrës së Presidentit.

“Fundi është i rëndësishëm, djalë”, më tha me një gjysmë buzëqeshjeje, pasi i bëri dy-tre hapa…

Qyteti kishte rënë në një qetësi e pazakonshme, të panjohur, disi të mbytëse. Rrugët ishin pothuajse të zbrazëta. Rrallë, aty-këtu, shihej ndonjë qytetar, kryesisht duke ecur si me nxitim…

Edhe në mbrëmje mbretëronte po ajo qetësi, e panjohur deri atëherë – e zbrazët dhe e mbushur njëkohësisht…

Dritaret e banesës sime në Rrugën “Nazim Hikmet” në Dragodan kishin pamje fiks nga qendra e qytetit. Gjatë ditës nga dritaret dhe nga ballkoni i banesës, poshtë në qytet, shiheshin si në pëllëmbë të dorës rruga prej udhëkryqit pranë Lulishtes drejt Kuvendit të Kosovës dhe rruga nga udhëkryqi te Lulishja drejt Sheshit “Nëna Terezë”, me ndërtesat në dyja anët e dy rrugëve. Shiheshin edhe Stadiumi i Qytetit, Qendra e Rinisë dhe Sporteve, “Banesat e Aeroportit”, ndërtesat e policisë dhe, përballë tyre, dy shtëpitë e vogla aq të njohura për shqiptarët: selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ose, siç quhej, “Zyra e Presidentit” ose “Zyra e Rugovës” dhe, fare pranë saj, selia e redaksisë së QIK-ut. Në vijë ajrore, këto dy godina të vogla njëkatëshe kishin jo më shumë se 500 metra nga banesa ime…

Me rënien e muzgut qyteti kishte marrë një pamje të mugët. Dalloheshin pakashumë vetëm hijet e ndërtesave dhe të shtëpive. Pothuajse nuk kishte asnjë dritë të ndezur. Rrugët ishin të qeta, të zbratëta. Aty-këtu, në rrugën pranë Lulishtes së qytetit dhe në rrugën drejt Kuvendit të Kosovës, shihej silueta e ndonjë veture që lëvizte me drita të fikura…

Në radiotranzistorin e dorës që po e shetisja nga një ferekuencë në tjetrën e dëgjova lajmin se gjenerali Klark kishte dhënë urdhër për fillimin e operacionit. Një pritje e panjohur kishte pushtuar hapësirën kohore që dukej sikur s’kishte fund…

Pritje e mbushur me ankth, frikë, shpresë e besim…

Dikur, ajo pritje torturuese – plot shpresë e besim, por edhe me ankth, edhe e frikë – u ça nga një gjëmim i fortë, i largët, diku në periferi të qytetit. Pastaj nga shkrepëtimat e dy-tre aeroplanëve luftarakë që duket se po fluturonin shumë ulët mbi qytet dhe nga disa rafale të shtënash që duket të ishin të artilerisë së lehtë kundërajrore…

Pas njëfarë kohe, në periferinë juglindore të Prishtinës, në horizont po përhapej një dritë gjithnjë e më e madhe. Dallohej qartë se ishin flakët e një zjarri të madh. Herë pas here shiheshin edhe vrushkuj zjarri që shpëthenin e ngriheshin në horizontin qiellor prapa kodrës. Isha i bindur se NATO-s kishin goditur deponë e armëve dhe municioneve në Hajvali, aty ku gjendej edhe reparti i policisë speciale të Serbisë…

Në rrugët e qytetit asnjë lëvizje…

Mund të kishte kaluar rreth një orë pas shpërthimeve të para kur në hapësirën para Zyrës së Rugovës dhe QIK-ut arritën dy automjete, ashtu me drita të fikura, nga të cilat zbritën disa persona. Pak çaste më vonë aty arritën edhe një apo dy maikna të tjera, nga të cilat zbritën disa persona të tjerë. Ashtu në errësirë, dukeshin vetëm siluetat dhe lëvizjet e tyre. Nuk dalloheshin nëse ishin persona të veshur me uniforma – policë, ushtarë a paramilitarë – apo civilë serbë të zemëruar nga ndërhyrja e NATO-s, të cilën e kishte kërkuar prej vitesh Rugova, lideri i gjithëpranueshëm i shqiptarëve në Kosovë…

Silutetat e zeza të agresorëve lëviznin rrëmujshëm. Hynin e dilnin nga Zyra e Rugovës dhe QIK-ut. Nga brenda xirrnin diçka dhe futnin në automjetet e tyre. Përsëri hynin brenda dhe përsëri nxirrnin diçka…

Po zidhnin, po plaçkitnin dhe po shkatërronin çfarë kishte në ato dy shtëpi emblematike të historisë më të re të Kosovës – dokumente, fotografi e materiale të ndryshme arkivore, revista e gazeta, kompjuterë e pajisje elektronike, flamuj e simbole…

Pas pak para hyrjes së zyrës së Rugovës u pa një gjuhë zjarri. Pastaj edhe një tjetër. Flakët që po rriteshin po e ndriçonin paksa hapësirën para dy shtëpive emblematike të organizimit politik e institucional të shqiptarëve në Kosovë. Tashmë dallohej qartësisht se policët, ushtarët, paramilitarët apo gangsterët serbë po i valvitnin dy flamuj të përfshirë nga flakët…

Në Zyrën e Rugovës gjendeshin dy simbole që shprehnin orientimin politik e strategjik të Rugovës – Flamuri Kombëtar Shqiptar dhe Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Disa çaste më pas flakët e zjarrit dhe tymi i zi e mbuluan godinën simbol të rezistencës politike dhe bashkimit të shqiptarëve të Kosovës rreth aspiratës së përmbledhur në togfjalëshin “Liri, Pavarësi, Demokraci”…

S’di të përshkuaj ndjesitë që më shkaktonin flakët e zjarrit dhe tymi i zi që ngrihej nga ajo shtëpi nga e cila kam aq shumë kujtime…

Shumë ngjarje. Shumë njerëz. Shumë miq e kolegë. Më i pari mes tyre – Enver Maloku, udhëheqësi i QIK-ut, njëri ndër idealistët më energjikë që kam njohur…

Teksa flakët e zjarrit po fashiteshin, në kujtesë më erdhi përsëri fjalia e fundit e Xhemës: “Fundi është i rëndësishëm, djalë”…

E fundi do të jetë i lumtur për popullin e Kosovës…

***

Godina ku gjendej Zyra e Rugovës është rindërtuar pas luftës. Sot ajo është muze. Është pagëzuar “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

Godina e QIK-ut është po ajo që ishte atëherë. Sot ajo është restorant…

 

Prishtinë, 24 mars 2024