274 palestinezë të vrarë dhe qindar të plagosur në sulmin izraelit që liroi katër pengje

Gazë / Tel Aviv, 9 qershor 2024 – Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që drejtohet nga Hamasi, njoftoi se të paktën 274 palestinezë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën të shtunën gjatë sulmit ushtarak izraelit që liroi katër persona që mbaheshin peng nga Hamasi. Ushtria izraelite tha se njësitë e saj u pritën me luftime të ashpra gjatë operacionit të zhvilluar gjatë ditës në thellësi të territorit të Gazës dhe kryeministri izraelit u zotua të dielën për vazhdimin e përpjekjeve për lirimin e të gjithë pengjeve dhe për fitoren në luftë. Ndërkohë sot mbërrin sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që do të përpiqet të rikthejë bisedimet për armëpushimin.

Dhjetëra prej të plagosurve u dërguan në spital për të marrë me urgjencë trajtim mjekësor.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, avionët izraelitë bënë sulme të shumta në lagjet Al-Zaytoun dhe Tal Al-Hawa në qytetin e Gazës dhe në Nuseirat, si dhe në kampet Al-Maghazi and Al-Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

“Ishim në treg. Pavarësisht nga lufta, njerëzit kishin dalë normalisht në treg për t’u përgatitur për festën e Eid al-Adhas. Po blinim zarzavate së bashku me një shokun tim. Pamë mbi njëzet avionë mbi kokë. Ishin katër helikopterë mbi Salah al-Din dhe dy mbi det. U befasuam nga sulmi. Rrafshuan godina. Nuk na dhanë asnjë paralajmërim, as fletushka nuk hodhën, asgjë. Pjesët e trupave të njerëzve u shpërndanë nëpër rrugë”, thotë një ndër palestinezët e lënduar, Abdul Salam Darwish.

Forcat izraelite shpëtuan katër pengje që mbaheshin nga Hamasi në Gazën qendrore që nga sulmi që bënë militantët ndaj Izraelit në tetor.

25-vjeçarja Noa Argamani, pamjet e rrëmbimit të së cilës nga militantët e Hamasit tronditën opinionit botëror, u prit nga familja e saj, dhe këndoi së bashku me ta për t’i uruar ‘gëzuar ditëlindjen’ babait të saj. I pranishëm ishte edhe kryeministri Benjamin Netanyahu, që këndoi së bashku me familjen.

Pengjet e tjerë të shpëtuar nga ushtria izraelite janë Almog Meir Jan, 21 vjeç, Andrey Kozlov, 27 vjeç, dhe Shlomi Ziv, 40 vjeç. Ky ishte operacioni më i madh i forcave izraelite për lirimin e pengjeve.

Kryeministri Netanyahu përshëndeti të dielën heroizmin e ushtarakëve izraelitë që shpëtuan katër pengjet. Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar ai gjithashtu njoftoi se një prej komandantëve që drejtonte ekipet e forcave speciale u vra gjatë operacionit.

“Luftëtarët tanë heroikë u hodhën së bashku në zjarr, eliminuan terroristët dhe liruan pengjet. Kur miratova të enjten këtë operacion kompleks dhe të rrezikshëm mbajta parasysh dy konsiderata kryesore : së pari – angazhimin tonë për të rikthyer të gjithë pengjet; së dyti – e dija se mund t’u besojmë luftëtarëve tanë, që janë më të mirët në botë”, tha kryeministri izraelit, duke shtuar se do të bëhet gjithçka e mundshme për të liruar të gjithë pengjet dhe për të arritur fitoren ndaj armikut.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të thotë të dielën nëse presidenti Joe Biden do të takohet me kryeministrin Netanyahu kur ai të vizitojë Uashingtonin muajin e ardhshëm për të mbajtur një fjalim në Kongres. Këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan tha gjatë një interviste me kanalin CBS se nuk ka diçka të re për të njoftuar për këtë çështje dhe se dy drejtuesit mbajnë komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin.

Ndërsa ofensiva e Izraelit në Gazë vazhdon me intensitet të plotë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken rikthehet në Lindjen e Mesme të dielën me shpresën për të bindur Izraelin dhe militantët e Hamasit që të pranojnë një marrëveshje armëpushimi të konceptuar për të ndalur luftimet, për të liruar pengjet dhe për të lejuar më shumë ndihma humanitare në Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta.

Udhëtimi tre-ditor i sekretarit Blinken përfshin ndalesa në Egjipt, Izrael, Jordani dhe Katar.

(Zëri i Amerikës)