29 vatra zjarri në 8 orët e fundit në Kosovë, 12 prej tyre janë ende aktive

Prishtinë, 26 korrik 2025 – Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar për shpërthim të zjarreve të shumta në disa rajone të Kosovës, për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta. Në njoftim thuhet se 17 nga këto vatra zjarri janë lokalizuar, ndërsa 12 të tjera mbeten ende aktive.

“Si pasojë, në gjithë territorin e Kosovës, situata e përcjelle nga Qendra Operative e Agjencisë, rezulton me gjithsej 29 vatra të zjarreve në 8 orët e fundit. 17 nga ato janë lokalizuar, derisa 12 vatra zjarri mbeten aktive”, thuhet në njoftim. 

Mediet në Kosovë raportojnë për përhapje të madhe të zjarreve në komunën e Suharekës. Kryetari i komunës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se zjarret janë përhapur në disa fshatra të kësaj komune. Ai ka bërë thirrje për ndihmë për të shuar zjarret që kanë kapluar këto fshatra, ndër të cilat ai veçon fshatrat Dubravë, Sallagrazhdë e Mushtisht.

“Kushdo që ka mundësi e që ka pajisje për shuarje zjarri le të ndihmoj në hapësirën Dubravë – Sallagrazhdë – Mushtisht”, ka shkruar Muharremi në rrjetet sociale.

Kompania për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, se njoftoi se asetet elektroenergjetike të kësaj kompanie në disa rajone të vendit, veçanërisht në Prizren, në Mitrovicë dhe në Gjakovë, janë dëmtuar nga zjarret. Kjo ka bërë që një numër i vendbanimeve të mbetet pa energji elektrike.

KEDS tha se erërat e fuqishme po e rëndojnë më tej situatën, ndërsa ekipet teknike të saj po punojnë në terren për rikthimin e furnizimit.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të raportojnë menjëherë për rastet e shpërthimit të zjarreve.

Më herët, kjo agjenci kishte thënë se shumica e zjarreve masive në Kosovë janë pasojë e pakujdesisë ose papërgjegjësisë së qytetarëve.

(r.m.)