3.646 shtetas të huaj erdhën të punojnë në Kosovë më 2023

Prishtinë, 12 shkurt 2024 – Instituti (GAP) njoftoi se, vitin e kaluar, Kosova i ka lëshuar 3.646 leje pune për shtetas të huaj. Ky numër është 22.4 për qind më i lartë se në vitin 2022.

Sipas të dhënave të këtij instituti, pothuajse gjysma e të huajve që kanë marrë leje për punë në Kosovë janë shtetas të Turqisë (1004) dhe të Bangladeshit (722), kurse pas tyre vijnë shtetasit e Serbisë (465) dhe shtetasit e Shqipërisë (440).

Leje për punë në Kosovë kanë marrë edhe 211 shtetas të Maqedonisë së Veriut, 144 shtetas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 70 shtetas të Filipineve, 61 shtetas të Gjermanisë, 43 shtetas të Malit të Zi dhe 36 shtetas të Italisë.

Në raportin e Institutit GAP nuk publikohen informacione për profilin e punëtorëve të huaj që kanë ardhur për të punuar në Kosovë as industritë në të cilat punojnë ata.

Sipas asociacioneve të biznesit në Kosovë, shumë ndërmarrje përballen me mungesë të fuqisë punëtore, të profesioneve të ndryshme. Në anën tjetër, numri i punëtorëve kosovarë që shkojnë të punojnë jashtë vendit, sidomos në vendet e Bashkimit Evropian, sa vjen e rritet.

Ekspertët e ekonomisë në Kosovë ngrenë alarmin për largimin e fuqisë punëtore, sidomos të profesionistëve dhe punëtorëve të kualifikuar të fushave e profesioneve të ndryshme.

Image

 

(r.m.)