30 vjet më parë mbylli sytë Gjon Sinishta

Nga Ruben Avxhiu

Në vijim të temës katolike, si sot 30 vjet më parë vdiq në San Françisko, Gjon Sinishta, i cili ia kushtoi jetën përjetësimit të klerikëve katolikë që u martirizuan nga dhuna e regjimit komunist në Shqipëri.

Gjon Sinishta u lind në Podgoricë të Malit të Zi, në vitin 1930. Studimet i kreu në seminarin jezuit në Shkodër, me shpresën për t’u bërë prift. Kjo ëndërr u bë gjithmonë e më e pamundur pas ardhjes në pushtet të komunistëve dhe fushatës së ashpër të represionit që sollën kundër Kishës Katolike në vend.

Sinishta u arratis në Jugosllavi dhe si shumë shqiptarë të tjerë emigroi nëpërmjet Italisë për në SHBA në mesin e viteve 1960.

U vendos fillimisht në Detroit, për të punuar në industrinë e automjeteve si shumë shqiptarë të atjeshëm dhe në vitin 1966 themeloi Qendrën Informative Katolike Shqiptare. Aty botoi edhe librin e tij të parë “Sakrificë për Shqipërinë, kushtuar mësuesve dhe priftërinjve katolikë të burgosur dhe vrarë në vitet e pasluftës.

Veprimtaria e tij kryesore filloi pasi u vendos në Kalifornia, së pari në Universitetin e Santa Klarës dhe pastaj në Universitetin e San Françiskos ku punoi deri sa doli në pension.

Aty botoi një vepër të rëndësishme përmbledhëse të persekutimit fetar në Shqipërinë komuniste, “The Fulfilled Promise” (Premtimi i mbajtur). Libri doli në vitin 1976, vitin kur Shqipëria e shpalli veten si vendi i vetëm ateist në botë.

Në vitin 1980 Sinishta themeloi Buletinin Katolik Shqiptar një botim të përvitshëm të institutit Katolik Shqiptar në Universitetin e San Françiskos.

Fotografia që shoqëron këtë shënim tregon Gjon Sinishtën duke i dhuruar një kopje të Buletinit, Papa Gjon Palit të Dytë në Vatikan. (Plotësuar me të dhëna nga Stephen Schwartz)

Comment

*