Nga Greg Miller dhe Catherine Belton, The The Washington Post
Një hulumtim disamujor i luftës së inteligjencës në Ukrainë nga ‘The Washington Post’ bazohet në një grumbull materialesh të ndjeshme, duke përfshirë komunikime të përgjuara që përfshijnë operativë të inteligjencës ruse, si dhe intervista të detajuara me zyrtarë të lartë ukrainas, amerikanë dhe evropianë. Këto janë disa prej gjetjeve kryesore:
- Një degë sekrete e shërbimit të sigurisë të Rusisë ishte përfshirë thellësisht në planin e dështuar të luftës të Kremlinit, duke siguruar zyrtarët në Moskë se qeveria e Ukrainës do të binte shpejt dhe duke caktuar operativë për të instaluar një regjim kukull.
Dega e FSB-së, e njohur në mënyrë interne si Departament i Informacionit Operacional, ka kryer me vite operacione sekrete për të depërtuar në institucionet e Ukrainës, për të paguar politikanë pro-rusë dhe për të parandaluar largimin e vendit nga orbita e Moskës. Pavarësisht prej fokusit të saj intensiv në Ukrainë, thonë zyrtarët e inteligjencës perëndimore, FSB ose nuk arriti të kuptonte se sa fuqishëm do të rezistonte Ukraina ose e kuptoi por nuk arriti t’ia transmetonte një informacion të tillë të pakëndshëm presidentit rus Vladimir Putin.
- Oficerët e FSB-së ishin aq të sigurt se do të kapnin levat e pushtetit në Kiev sa që i kaluan ditët e fundit para luftës duke e rregulluar çështjen e strehimit në kryeqytet.
Komunikimet e përgjuara nga shërbimet ukrainase të sigurisë tregojnë se oficerët e FSB-së u kërkojnë kolegëve detaje rreth apartamenteve dhe lokacioneve tjera që mund t’i përdornin si shtëpi, rezidenca ose baza operimi të sigurta. Disa ditë përpara se forcat ruse të kalonin në Ukrainë, thanë zyrtarët, informatorëve të FSB-së iu tha ta lëshonin kryeqytetin, por çelësat e rezidencave të tyre t’ua linin operativëve rusë që do të vinin.
- Departamenti i FSB-së në Ukrainë iu nënshtrua një zgjerimi të madh në periudhën që i parapriu pushtimit, sipas zyrtarëve ukrainas dhe perëndimor të sigurisë.
Departamenti u rrit nga rreth 30 oficerë në vitin 2019 në 160 në prag të pushtimit të Ukrainës, thanë zyrtarët. Ekipeve të FSB-së iu caktuan rajonet e Ukrainës dhe rrjetet e agjentëve të fjetur brenda vendit. Në retrospektivë, zyrtarët ukrainas e shohin grumbullimin si një paralajmërim të hershëm se Rusia po krijonte bazat për sulm.
- FSB punoi ngushtë me bashkëpunëtorë të shquar dhe i vendosi të paktën dy qeveri të ardhshme pro-ruse.
Aleatë kryesorë të FSB-së ishin ish-presidenti ukrainas Viktor Janukoviç, i cili ishte arratisur në Rusi më 2014 dhe Viktor Medvedchuk, një oligark që u bë bashkëdrejtues i partisë kryesore pro-ruse në Ukrainë pasi kishte krijuar marrëdhënie të ngushta me Putinin. Yanukoviç ishte personi kryesor i një grupi që u mblodh në Bjellorusi në fillim të marsit, me gjasë për t’u përgatitur për të hyrë dhe për ta rimarrë pushtetin. Grupi tjetër, i cili përfshinte ish-anëtarë të partisë së Yanukoviçit, u mblodhën në pjesën jugore të Ukrainës e cila ishte pushtuar nga forcat ruse në fillim të luftës.
- Pavarësisht dështimeve të përsëritura, drejtuesit e FSB-së kanë mbetur në pozitat e tyre, kurse agjencia është rigrupuar, duke vendosur oficerë me rotacion tre-mujor në rajonet e pushtuara nga forcat ruse.
Zyrtarët amerikanë dhe të tjerë kanë thënë se nuk kanë parë asnjë provë që Putini e ka pastruar shtëpinë në krye të agjencive ruse të spiunazhit ose se zyrtarët e lartë i ka mbajtur përgjegjës për vlerësime të gabuara shumë të kushtueshme. Në vend të kësaj, drejtori i FSB-së Alexander Bortnikov dhe kreu i drejtorisë së saj në Ukrainë, Sergej Beseda, mbeten në pozicionet e tyre, duke mbikëqyrur aspekte të veprimeve luftarake.