6 deputetë të LDK-së nuk e mbështesin Bekim Sejdiun për President

Prishtinë, 1 shtator 2026 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk e mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

“Me keqardhje për popullin e Kosovës dhe për procesin në të cilin jemi, gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së”, tha Abdixhiku, pas takimit të Grupit Parlamentar të LDK-së.

Ai tha se deputetët Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Imeri kanë deklaruar se nuk do të votojnë për Sejdiun.

“Gjashtë deputetë kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Konkretisht: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidaturën e propozuar”, tha ai.

Abdixhiku shprehu keqardhje që këta deputetë kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e kryesisë së partisë për mbështetjen e Sejdiut, të cilin e quajti “kandidat të shkëlqyeshëm”.

“Profesor Doktor Bekim Sejdiu është kandidat i shkëlqyeshëm, i propozuar nga LDK-ja që do të siguronte balancë institucionale dhe do të ndalonte çdo tendencë për shkeljen e Kushtetutës dhe do ta mbronte Kushtetutën edhe prëballë pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

Ai theksoi se gjashtë deputetët që nuk do ta votojnë Sejdiun për President i bën të pashmangshme zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Konsideroj që [6 deputetët], duke e humbur një mundësi të madhe, i bëjnë dëm të pariparueshëm gjithë procesit dhe, pashmangshëm, e dërgojmë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

Abdixhiku tha kundërshtimi i kandidaturës së Sejdiut nuk është “betejë personale apo politike” kundër tij, por “betejë për Republikën”. Ai vlerësoi se mosrespektimi i vendimit të Kryesisë së LDK-së do të ketë pasoja edhe në rezultatet e partisë në zgjëedhjet e ardhshme.

“Kjo nuk ishte betejë me mua. Beteja me mua ka përfunduar në Kuvendin e LDK-së. Kjo ishte betejë për Republikën e Kosovës. Konsideroj se pozicioni kundër vendimit të Kryesisë e kundër LDK-së është i dëmshëm për Republikën e patjetër për LDK-në. E çdo palë zgjedhje të ardhme, për shkak të këtyre refuzimeve, do të jenë me pasoja edhe për rezultatet e ardhshme zgjedhore”, tha Abdixhiku. 

Kryesia e LDK-së, në mbledhjen e mbajtur para mbledhjes së Grupit Parlamentar, ka deklaruar mbështetje unanime për nominimin e Bekim Sejdiut për President të Republikës.

“Kryesia, me unanimitet të plotë, miratoi marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së dhe kështu e mbështeti nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës”, thuhej në deklaratën e lëshuar pas mbledhjes së kryesisë.

Sipas deklaratës, vendimi për mbështetjen e kandidaturës së Sejdiut është marrë në mbështetje të autorizimeve të Kuvendit të partisë dhe përgjegjësive të saj statutare, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje politike që mundëson “teklaimin e krizës institucioneve dhe për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës”.

“Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së, me procedurat vendimarrëse të partisë dhe me përgjegjësinë që LDK-ja ka marrë për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues”, thuhej në deklaratë.

(r.m.)