Vjenë, 10 qershor 2025 – Nëntë persona janë vrarë dhe dymbëdhjetë të tjerë janë plagosur, të martën, në një sulm me armë në një shkollë të mesme në qytetin Grac, në jug të Austrisë. Autoritetet njoftuan se viktimat e sulmit me armë janë gjashtë vajza dhe tre djem.
Midis të vrarëve është edhe autori i sulmit, një austriak 21-vjeçar, ish-nxënës i shkollës. Oficerët e policisë lokale thonë se ai ka bërë vetëvrasje në banjën e shkollës.
Policia njoftoi se të shtënat kanë ndodhur në shkollën e mesme BORG Dreierschutzengasse, në veri-perëndim të Gracit, afër stacionit kryesor qendror të trenit. Policia tha se beson se sulmuesi ka vepruar i vetëm.
Aurotitetet thane se ende nuk është zbuluar ndonjë element për motivin e sulmit dhe nuk kanë dhënë informacione më të detajuara lidhur me autorin.
Kancelari austriak Christian Stocker e ka cilësuar ngjarjen si “tragjedi kombëtare”.
“Tragjedia në një shkollë të Gracit është një tragjedi kombëtare që ka tronditur thellësisht të gjithë vendin tonë”, ka thënë Stocker.
“Nuk ka fjalë për të shprehur dhembjen dhe pikëllimin që po ndiejmë tani, të gjithë ne, e gjithë Austria”, ka shtuar ai.
“Shkolla është një vend besimi, sigurie dhe shprese. Fakti që kjo hapësirë e sigurt u shkatërrua kaq brutalisht na lë të tronditur”, ka theksuar ai.
Kancelari Stocker ka shpallur zi kombëtare tri-ditëshe në Austri.
Udhëheqësit evropianë kanë shprehur dhembje për viktimat e sulmit në Grac.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se ky sulm është goditje e madhe për shkollat.
“Shkollat janë simbol i rinisë, shpresës dhe të ardhmes. Është goditje e rëndë kur ato bëhen vende të vdekjes dhe dhunës”, ka thënë ajo.
(r.m.)