Nga Ruben Avxhiu

Çfarë kanë bërë shqiptarët në ditët e fundit të nëntorit 1912? Shumë prej tyre ndoshta as që e kanë ditur çfarë po ndodh. Mungesa e medias, e arsimit, e zhvillimit teknologjik, e shumëçka tjetër ka izoluar ngjarjen ngritjes së flamurit nga jeta e përditshme në shumë mjedise të vendit.
Por, ankthi dhe shpresa kanë qenë bashkë në ajër, ndërsa shoqëria shqiptare ndodhej përpara një veprimi që do të vuloste fatin e shqiptarëve për gati një shekull. Lajmi më pas është përhapur shpejt, po gëzimi ka qenë i dyzuar nga hija e pushtimit ushtarak të fqinjëve dhe mungesa e vizionit të duhur për të kuptuar ndryshimin e madh. Është dashur kohë veç të tjerash, që të kuptohej se Kosova dhe një pjesë e madhe e trungut mbarëshqiptar ishte shkëputur padrejtësisht e fatalisht.
Sot, diçka më shumë se 95 vite më vonë, një tjetër “28 nëntor” është fare afër. Po kësaj here jetojmë në një kohë tjetër. Vendimet e udhëheqësve të fuqive të mëdha mësohen sakaq në çdo cep të humbur të tokave shqiptare. Nëpërmjet valëve televizive, e gjithë bota shqiptare do të ndjekë drejtpërdrejtë shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Shumë gjëra ndryshuan edhe për Kosovën pa u mbushur harku i një shekulli. Atëhere ishte e dënuar me zjarrin e armëve dhe ftohtësinë e injorimit që të mos bëhej pjesë e ngjarjes së 28 Nëntorit.
Pa armë të mjaftueshme, pa një zë në botën e madhe, e humbur e pakuptuar, e mohuar, Kosovës i ishte prerë fati që të ishte i njëjtë me atë të dhjetëra popujve e qindra komuniteteve etnike të botës që nuk kanë asnjë perspektivë për të kënaqur aspiratën e tyre të lirisë dhe vetëvendosjes.
Çfarë ndryshimi sot: me mijëra të rinj që ofruan të jepnin jetën e tyre për pavarësinë, me udhëheqës të cilët për vite ofruan një rezistencë moderne e të lexueshme nga pjesa më e rëndësishme e komunitetit ndërkombëtar, me një ushtri emigrantësh të vendosur për ta kthyer përparimin e tyre individual në përparim të çështjes kombëtare, me një zë aty ku Kosova nuk kishte qenë kurrë, në kancelaritë më të fuqishme të botës.
Por edhe bota ka ndryshuar. Lufta e Dytë Botërore, me krimet e saj, transformuan Europën e botës. Masakrat e vitit 1912-13 në Kosovë mund të kenë qenë më të mëdha se ato të vitit 1998-99, por kësaj here ishte kohë tjetër. Mbi të gjitha një faktor i ri kishte hyrë në skenën europiane: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Roli monumental i fuqisë më të madhe të globit meriton falendërimin më të madh sot.
Një gërshetim i këmbënguljes dhe gatishmërisë shqiptare për sakrificë, brutalitetit arrogant serb, vendosmërisë parimore amerikane dhe vizionit pozitiv europian, sollën atë që për shumë popuj e komunitete të tjera në botë do të mbetet vetëm një ëndërr. Dikur e ndaluar për të qenë pjesë e një kombi e shteti, Kosova vjen sot vetë si shtet e kërkon vendin e saj mes kombeve të botës.
Ndërsa, asgjë nuk është bërë ende realitet apo konfirmuar zyrtarisht, ne jemi ndoshta vetëm pak orë larg “28 nëntorit” kosovar, një nga ato ngjarjet për të cilat me siguri do të shkruhet, këndohet, e hamendësohet për shekuj me radhë.
Ngjarja nuk vjen pa vështirësira, se ka edhe gjëra që nuk kanë ndryshuar pas 95 vjetësh. Serbia ka mbetur lodër në duart e Rusisë dhe kjo e fundit lodër në duart ambicjeve perandorake të udhëheqësve të saj. Pak ka ndryshuar edhe Serbia, çuditërisht, pas katër regjimesh e katër luftrash, por ky mosndryshim është pjesë e mallkimit të saj dhe bekimit tonë.
Ende nuk e dimë nëse do të jenë forcat pozitive aq të forta sa që Kosova të mos ndahet, e që shkëputja të mos jetë shumë e dhimbshme e që prijësit e shtetit të ri të mos e shpërdorojnë shansin e madh. Por, kemi arsye të besojmë se ka një ogur të mirë që ka rënë mbi këtë tokë të vuajtur e që liria e fituar me mund do të vazhdojë të frymëzojë mirësi.
Ndryshe nga ata që nuk ditën apo nuk mundën të shijojnë ardhjen e ngjarjes së madhe rreth 95 vjet më parë, në nëntor 2012, ne shqiptarët e sotëm, kemi shansin të ndalemi një çast e të ndërgjegjësohemi për atë që po vjen. Të reflektojmë që të dimë se nga po vimë e ku po shkojmë.
Papritmas, përkundër frikërave, anktheve e mosbesimeve tona, pas dy ditësh, do të jetë “28 nëntor” përsëri për shqiptarët.
(Botuar në gazetën “Illyria”, New York, 15 shkurt 2008)