Riho Terras: E ardhmja e Kosovës është në BE, por anëtarësimi kërkon reforma

Prishtinë, 7 korrik 2026 – Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, tha se e ardhmja e Prishtinës është në Bashkimin Evropian, por për anëtarësim në bllok kërkohen reforma.

“Po punojmë në këtë drejtim”, tha ai në një postim në X pasi zhvilloi takime me udhëheqës politikë në Kosovë.

 

5E40854ee09e958acfaf0e7836d7be089da3a4d44e%7Ctëcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2F

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Terras u takua me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ministrin në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Presidenca e Kosovës njoftoi se ushtruesja e detyrës së Presidentes e ka falënderuar z. Terras për angazhimin dhe mbështetjen e tij ndaj perspektivës evropiane të Kosovës. Ajo ka theksuar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe se përparimi i vendit duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave.

“Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në njoftim bëhet e ditur se zonja Haxhiu ka folur për “përparimin e Kosovës në reformat evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian. Ajo ka theksuar se “orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë, i qëndrueshëm dhe gëzon mbështetje të gjerë qytetare”.

Haxhiu ka folur edhe për dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë, për çështjet e sigurisë dhe për “mungesën e përgjegjësisë” për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se ministri në detyrë, Glauk Konjufca, e ka vlerësuar rolin e Parlamentit Evropian në mbështetjen e aspiratave të Kosovës.

“Republika e Kosovës mbetet e angazhuar maksimalisht për avancimin e rrugës evropiane, thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE”, citohet të ketë thënë Konjufca.

Vizita e raportuesit të përhershëm për Kosovën në PE vjen pasi në mesin e muajit qershor, PE-ja miratoi rezolutën vjetore për Kosovën. Pas miratimit të rezolutës, Terras tha se reformat dhe përparimi në dialogun Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku, mbeten kyç në rrugën evropiane të Kosovës.

Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian. Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat.

(r.m.)

Comment

*