Prokuroria Speciale e Kosovës ngre aktakuzë ndaj një ish-polici të Serbisë për krime lufte në Vushtrri më 1999

Prishtinë, 7 korrik 2026 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të martën se ka ngritur aktakuzë kundër një ish-pjesëtari të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) nën dyshimin për pjesëmarrje në vrasjen, torturimin dhe plaçkitjen e civilëve shqiptar gjatë luftës në Kosovë më 1998 e 1999.

Prokuroria bëri të ditur se i akuzuari me inicialet R.D., i cili ishte arrestuar në shtator të vitit të kaluar, akuzohet për vrasjen e personit me inicialet SH.D., më 22 maj të vitit 1999 në Vushtrri.

R.D. dyshohet gjithashtu se, si pjesëtar i policisë së Serbisë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kishte marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve, si edhe në trajtimin çnjerëzor, torturimin, plaçkitjen dhe dëbimin e popullsisë civile shqiptare nga shtëpitë e veta.

Aktakuza ndaj r.d. vjen një javë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, në procesin e rigjykimit, e shpalli fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatrat e Istogut më 1999 dhe e dënoi me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, po ashtu ish pjesëtar i policisë së Serbisë.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Më shumë se 1.500 persona nuk janë gjetur ende.

Së voni, themeluesja e Fondit Humanitar në Serbi, Nastasha Kandiq, e ka riaktualizuar çështjen e personave të pagjetur. Ajo, duke iu referuar një personi që ishte prezantuar si dëshmitar, ka shprehur dyshime se trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, ishin tranportuar dhe varrosur në një varreze kolektive në hapësirën e poligonit të stërtitjeve të ushtrisë serbe në Pasulanske Livade.

Në Serbi janë zbuluar disa varreza masive të shqiptarëve të vrarë në Kosovë. Një varrezë masive ishte zbuluar edhe në poligonin e stërvitjeve të policisë serbe në Batajnicë, pranë Beogradit.

(r.m.)

Comment

*