Ankara, 7 korrik 2026 – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur të martën se ishulli i Grenlandës duhet të kontrollohet nga SHBA-ja dhe jo nga Danimarka.
Gjatë takimit me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, në prag të samitit të NATO-s, Trump ka thënë se SHBA-ja duhet ta blejë apo ta kontrollojë ishullin gjysmëautonom, që është territor i Danimarkës
“Duhet të kontrollohet nga SHBA-ja, jo nga Danimarka”, u ka thënë ai gazetarëve gjatë takimit me Erdoganin.
“Danimarka nuk shpenzon para për të ndihmuar vërtet Grenlandën, por është një pjesë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe është e rrethuar nga anije kineze dhe anije ruse”, ka shtuar ai.
Trump ka thënë se mosmarrëveshjet mbi pronësinë e Grenlandës i kishin dëmtuar marrëdhëniet e tij me NATO-n. Ai ka paralajmëruar se për këtë arsye edhe “mund” t’i tërhiqte të gjitha trupat amerikane nga Evropa.
“Kur ata nuk do të pajtoheshin me këtë, dhe me të gjitha paratë që shpenzojmë për t’i ndihmuar ata me Rusinë, nuk kemi nevojë të shpenzojmë asnjë para, ne mund t’i largojmë të gjithë ushtarët tanë nga Evropa, sepse, siç ndoshta e keni vënë re, Evropa është një vend shumë i ndryshëm nga sa ishte 20 vjet më parë, shumë i ndryshëm, shumë i ndryshëm, shumë i ndryshëm, dhe ata më mirë të jenë të kujdesshëm me imigracionin dhe energjinë. Nëse ata nuk janë të kujdesshëm me këto dy gjëra, nuk do të keni më një Evropë”, ka shtuar ai.
Gjatë takimit me Erdoganin, Trump ka njoftuar se SHBA-ja do t’ia heqë sanksionet Turqisë, të cilat i ishin vënë kur Turqia bleu raketa ruse.
“Do të heqim sanksionet”, u tha Trumpi gazetarëve.
Sanksionet amerikane e ndaluan shitjen e aeroplanëve luftarakë amerikanë Turqisë. Me heqjen e tyre pritet rihapja e bisedimeve për blerjen e aeroplanëve nga SHBA-ja.
Trump paralajmëroi se sekretari i Shtetit dhe sekretari i Thesarit po merren me çështjen.
(r.m.)