Prishtinë, 8 korrik 2026 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 53 mandate. Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar 22 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 18 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 7 ulëse.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se vetëm në listën e deputetëve të Aleancës ka ndryshime. Adrian Gjini dhe Daut Haradinaj, të cilët kanë hequr dorë nga mandati, do të zëvendësohen nga Bekë Berisha dhe Burim Ramadani.
Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve filloi të rrjedhin afatet për formimin e institucioneve të reja.
Sipas Kushtetutës, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditësh. Në këtë seancë duhet të bëhet konstituimi i Kuvendit dhe të zgjidhen kryetari e nënkryetarët e Kuvendit.
Pas konstituimit të Kuvendit, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e nominon mandatarin për formimin e Qeverisë, në këtë rast kanditin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje i nevojiten votat e të paktën 61 deputetëve për zgjedhjen e qeverisë së re. Kjo parti mund t’i sigurojë këto vota bashkë me partnerët e koalicionit qeverisës të mandatit të kaluar.
Por, e panjohur mbetet çështja e presidentit apo presidentes së ardhshme.
Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditësh prej ditës së konstituimit të Kuvendit. Për votim të vlefshëm për presidentin nevojitet prania e 2/3 të deputetëve të Kuvendit, prandaj është e domosdoshme një marrëveshjeje politike me subjektet tjera parlamentare.
Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike, Kuvendi shpërndahet përsëri dhe vendi shkon përsëri në zgjedhje të tjera të parakohshme, po sikurse ndodhi me procesin që çoi në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në qoftë se afatet për konstituimin e Kuvendit, për formimin e Qeverisë dhe për zgjedhjen e Presodentit zgjasin deri në limitet e afateve kushtetuese përmbyllja e procesit të formimit të institucioneve të reja duhet të përfundojë brenda 90 ditësh.
Faktori ndërkombëtar, sidomos SHBA-ja dhe BE-ja, kanë bërë thirrje që ky proces të për mbyllet sa më parë dhe vendi të shtojë dinamikën e reformave.
Nga sa dihet në publik, partitë politike nuk kanë zhvilluar ende bisedime për një marrëveshje politike eventuale për presidentin.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se është shprehur i hapur për bisedime me partitë e tjera lidhur me çështjen e presidentit. PDK-ja ka thënë se do të ishte e hapur për bisedime për një kandidat konsensual. LDK-ja dhe Aleanca kanë thënë se i kanë disa kushte.
(r.m.)