Hamza e pranon ftesën e Kurtit për takim, Gjini i rikujton kushtet e Aleancës

Prishtinë, 9 korrik 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e ka pranuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albin Kurti, për një takim të premten, për të diskutuar për formimin e institucioneve.

Hamza ka thënë se prioritet për PDK-në është adresimi i sfidave të Kosovës dhe jo ndarja e posteve.

“Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat e kam thënë dhe e ripërsëris është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së të ketë një numër të caktuar të ministrive, të ketë një kryetar kuvendi, presidentin apo sidoqoftë”, ka deklaruarHamza, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, ku është diskutuar për rezultatin në zgjedhje dhe për procesin e fotrmimit të institucioneve.

Ndëkaq, Ardian Gjini, kryetar i Aleancës, ka thënë se nuk e sheh të nevojshëm takimin me Kurtin, derisa Kurti nuk është deklaruar lidhur me ofertën e kësaj partie.

Në një letër publike, Gjini ka thënë Aleanca është e gatshme të ndihmojë në kuorum për zgjedhjen e presidentit po qe se Kurti i pranon gjashtë pikat e ofertës së Aleancës.

“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme pa kushte ose kërkesa vetjake të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen president-es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në letrën e Gjinit.

Gjashtë pikat që ofertës së Aleancës:

  1. Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.
  2. Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.
  3. Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
  4. Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.
  5. Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve.

(r.m.)

Comment

*