Prishtinë, 9 korrik 2026 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë që do t’i përgjigje pozitivisht ftesës së Albin Kurtit për takim.
“Unë sot kam marrë një letër ftesë për takim me kryetarin e LVV-së, z. Kurti, në formatin 1+1. Pra, këtë here do të takohemi 2 me 2 dhe do ti përgjigjem pozitivisht kësaj ftese”, ka thënë ai, mbledhjes së kryesisë së LDK-së me kryetarë të degëve të partisë.
Abdixhiku ka thënë se ky do të jetë takimi i tij i parë zyrtar me Kurtin pas zgjedhjeve.
“Do ta bëj publike për gjithë vendin që ky është komunikimi i parë që kemi pasur deri tani. Ky është komunikimi i parë zyrtar që kemi pasur pas përfundimit të zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka thënë se ai do të provojë të takohet edhe me liderët e partive tjera politike për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja.
I pyetur nga gazetarët nëse LDK-ja do të insistojë që ta ketë presidentin, pasi kjo parti garoi për këtë pozitë me ish-presidenten Vjosa Osmani, Abdixhiku ka thënë se “në këtë fazë” nuk do të flitet për emra.
Ai e ka cilësuar si “të rëndësishme” që të shmangen zgjedhjet e reja.
Mediet në Kosovë raportuan se në mbledhjen e sotme të kryesisë së LDK-së me kryetarë të degëve është diskutuar edhe për grumbullimin e nënshkrimeve të delegatëve për kuvend të jashtëzakonshëm të partisë, ku do të kërkohej përgjegjësi për rezultatet e dobëta të partisë në tri pale zgjedhjet e fundit, madje edhe shkarkimi i Abdixhikut.
Vetë Abdixhiku ka mohuar të jenë deponuar nënshkrime për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, në të cilën do të kërkohej shkarkimi i tij. Ai i ka quajtur si “të njëanshme” nismat për shkarkimin e tij.
“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri tash. Do të doja që LDK-ja të merrej sa më pak me çështje që e ndajnë LDK-në. Nuk e dëshiroj ndarjen e LDK-së. E kemi pasë një kuvend para disa kohe dhe nismat e njëanshme tash nuk i bëjnë mirë LDK-së”, ka thënë Abdixhiku.
Por, anëtari i kryesisë së LDK-së Armend Zemaj, ka pohuar se tashme janë mbledhur fimat e mbi 150 delegatëve që kërkojnë Kuvendt ë jashtëzakonshëm.
“Janë më shumë se 150 nënshkrime që kanë kërkesë për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së”, ka thënë ai.
Zemaj ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë ka pasur edhe kërkesa që të mos ketë zgjedhje të parakohshme, por edhe kërkesa që t’i jepet përkrahje kryetarit [Abdixhiku] që të vazhdojë të jetë edhe tutje kryetar i LDK-së.
Zemaj ka thënë se ai vetë është për analizë të përgjegjësisë për rezultatet e dobëtar në zgjedhje në strukturat e të gjitha niveleve të partisë.
“Unë i takoj një dege e cila ka dhënë mendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme dhe kërkon reflektim mbi procesin zgjedhor të qershorit në të gjitha strukturat e LDK-së, duke filluar nga kryetari e deri të nëndegë”, është shprehur ai.
Sipas statutit të LDK-së, Kuvendi i jashtëzakonshëm thirret me kërkesën e të paktën një të tretën e delegatëve të partisë. Kuvendi i jashtëzakonshëm duhet të mblidhet brenda 60 ditëve nga deponimi i kërkesës.
Abdixhiku është përballur me një votëbesim më 31 janar të këtij viti, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, por ai i ka mbijetuar këtij votëbesimi me pak më shumë se gjysmës së delegatëve. Por, pakënaqësitë në parti janë rishfaqur pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
(r.m.)