Prishtinë, 9 korrik 2026 – Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vlerësuar se përgjegjësinë për rezultatin e dobët në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit e bartin të gjitha nivelet drejtuese të partisë.
“Kryesia Qendrore vlerëson se rezultati zgjedhor, ndonëse shënon rritje të LDK-së, nuk përmbush synimet dhe pritjet tona politike. Prandaj, përgjegjësia për të vazhduar punën, për të adresuar mangësitë dhe për ta shndërruar këtë rritje në besim edhe më të gjerë qytetar, është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha niveleve drejtuese dhe organizative të partisë”, thuhet në deklaratën e lëshuar të enjten, pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore të partisë.
Sipas deklaratës, Kryesia Qendrore e LDK-së i ka shprehur “mbështetje të plotë” kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, për udhëheqjen e proceseve brenda partisë dhe për përfaqësimin e partisë në procesin e formimit të institucioneve të reja të vendit.
“Kryesia Qendrore shpreh mbështetjen e plotë për Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, në ushtrimin e mandatit për udhëheqjen e proceseve politike e organizative të partisë; si dhe procesin e formimit të institucioneve të Republikës nëpërmjet diskutimeve me partitë e tjera parlamentare”, thuhet në deklaratë.
Sipas deklaratës, Kryesia e LDK-së është shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme në parti, siç kërkohet nga disa degë të saj. Ajo ka lënë të kuptohet se qëndron pas rezultatit të votëbesimit të mbijetuar nga Abdixhiku në Kuvendin e partisë të mbajtur më 31 janar.
“Zgjedhjet e brendshme të LDK-së mbahen në afat të rregullt. Çdo çështje duhet të trajtohet në respekt të plotë të institucioneve partiake dhe të vullnetit të lirë të anëtarësisë. Kryesia Qendrore riafirmon se vendimmarrja demokratike dhe respektimi i shumicës mbeten parime të panegociueshme të organizimit tonë politik”, thuhet në deklaratë.
Kryesia e LDK-së u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve, aktivistëve dhe strkturave të partisë që të angazhohen për ruajtjen e unitetit të brendshëm.
“LDK është më e madhe se secili prej nesh. Përgjegjësia jonë e përbashkët është ta ruajmë të bashkuar, ta forcojmë dhe ta çojmë përpara, me besim në anëtarësinë tonë, me respekt për demokracinë dhe me përkushtim ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e lëshuar pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore të LDK-së.
Kjo mbledhje u mbajt në kohën që disa degë të LDK-së inicuan procesin e shkarkimit të Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë, pas rezultateve të dobëta të partisë në tri zgjedhjet e fundit parlamentare.
Një pjesë e delegatëve të Kuvebnditt ë LDK-së kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ku do të kërkohej përgjegjësi nga strukturat drejtuese të partisë dhe, sidomos, të kryetarit Abdixhiku, për rezultatet e dobëta në zgjedhje.
Armend Zemaj, anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK-së, deklaroi se deri tashti janë grumbulluar nënshkrimet e 150 delegatëve. Por, vetë Abdixhiku tha se në LDK “nuk është deponuar” asnjë nënshkrim.
Sipas statutit të LDK-së, Kuvendi i jashtëzakonshëm thirret me kërkesën e të paktën një të tretën e delegatëve të Kuvenditt ë partisë. Kuvendi i jashtëzakonshëm duhet të mblidhet brenda 60 ditëve nga deponimi i kërkesës.
DEKLARATA E KRYESISË QENDRORE TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS
Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas diskutimit mbi rezultatin zgjedhor, zhvillimet e fundit brenda partisë dhe situatën politike në vend, deklaron:
- Kryesia Qendrore vlerëson angazhimin e strukturave, kandidatëve, aktivistëve dhe të gjithë anëtarësisë së LDK-së gjatë procesit zgjedhor. Rritja e shënuar në një periudhë relativisht të shkurtër vlerësohet nga Kryesia e LDK-së. Njëkohësisht, Kryesia kërkon zhvillimin e analizave të thella në të gjitha nivelet, me qëllim të evidentimit të hapësirave për përmirësim dhe forcimit të mëtejmë të organizimit dhe veprimit politik.
- Kryesia Qendrore vlerëson se rezultati zgjedhor, ndonëse shënon rritje të LDK-së, nuk përmbush synimet dhe pritjet tona politike. Prandaj, përgjegjësia për të vazhduar punën, për të adresuar mangësitë dhe për ta shndërruar këtë rritje në besim edhe më të gjerë qytetar, është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha niveleve drejtuese dhe organizative të partisë.
- Kryesia Qendrore shpreh mbështetjen e plotë për Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, në ushtrimin e mandatit për udhëheqjen e proceseve politike e organizative të partisë; si dhe procesin e formimit të institucioneve të Republikës nëpërmjet diskutimeve me partitë e tjera parlamentare.
- LDK i ka institucionet, Statutin dhe mekanizmat e saj demokratikë. Kryesia mbështetë opinionin e Kolegjiumit të Degëve. Zgjedhjet e brendshme të LDK-së mbahen në afat të rregullt. Çdo çështje duhet të trajtohet në respekt të plotë të institucioneve partiake dhe të vullnetit të lirë të anëtarësisë. Kryesia Qendrore riafirmon se vendimmarrja demokratike dhe respektimi i shumicës mbeten parime të panegociueshme të organizimit tonë politik.
- Kryesia Qendrore fton të gjithë anëtarët, veprimtarët dhe strukturat e LDK-së që energjinë dhe angazhimin e tyre ta drejtojnë drejt forcimit të partisë, rritjes së besimit qytetar dhe përmbushjes së përgjegjësive që vendi pret nga ne. Kosova ka nevojë për një LDK të bashkuar, të qëndrueshme dhe të përqendruar në ofrimin e alternativës së saj politike.
LDK është më e madhe se secili prej nesh. Përgjegjësia jonë e përbashkët është ta ruajmë të bashkuar, ta forcojmë dhe ta çojmë përpara, me besim në anëtarësinë tonë, me respekt për demokracinë dhe me përkushtim ndaj Republikës së Kosovës.
(r.m.)