Prishtinë, 10 korrik 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) e ka pritur sot në takim Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamzën, për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Kurti dhe Hamza e kanë cilësuar takimin si “konstruktiv” dhe “korrekt”, ndonëse ai ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret për procesin e formimit të institucioneve.

“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret apo ndonjë të arritur, por uroj që kjo frymë konstruktiviteti të mbizotërojë dhe, në përputhje me afatet kushtetuese, të arrijmë t’i konstituojmë institucionet dhe vendit t’i japim kryetarin e Kuvendit, kryeministrin dhe presidentin e ri”, ka deklaruar Kurti.
Kurti dhe Hamza kanë bërë të ditur se çelës i zgjidhjes së ngërçit politik që çoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit është zgjedhja me marrëveshje politike e presidentit apo presidentes së re të vendit.
Kurti ka thënë se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit bie mbi të gjitha partitë dhe ka theksuar se për këtë pozitë duhet të gjendet një figurë e pranueshme për të gjithë.
“Zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese, por është menduar të ndodhë në bashkëpunim me të tjerët. Prandaj, si pikënisje, do të kishim një figurë konsensuale, dikë që nuk është pjesë e asnjë partie politike dhe që ka vlera të dëshmuara kombëtare dhe institucionale. Për qeverisjen përgjegjësia bie mbi ne, ndërsa për presidentin përgjegjësia bie mbi të gjithë ne”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se procesi për formimin e institucioneve të reja është në fazën e konsultimeve me partitë parlamentare. Ai ka thënë se synim i LVV-së është që, krahas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, të arrihet marrëveshje edhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Ai ka uruar që fryma konstruktive e takimit me Hamzën të mbretërojë edhe në vazhdim të konsultimeve.
“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotëroj edhe në vijim dhe në përputhje me afatet të konstituojmë institucionet. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera kontruktive duhet të vazhdoj të mbizotëroj”, ka thënë ai.

Ndërkaq Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se përgjegjësia për krijimin e institucioneve bie mbi LVV-në, partinë më të madhe në Kuvend. Ai ka thënë se PDK-ja është e hapur për bisedime për marrëveshje politike gjithëpërfshirëse.
“PDK-ja ka garuar në këto zgjedhje me program dhe me prioritete që kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, mirëqenies sociale, si dhe me projekte në energji dhe infrastrukturë. Për t’i zbatuar këto prioritete, PDK-ja nuk ka vija të kuqe dhe është e hapur për të biseduar për marrëveshje politike gjithëpërfshirëse”, ka thënë Hamza.
Por, ai ka bërë të ditur se PDK-ja ka vendosur që në mandatin e ari qeverisës të jetë në opozitë.
“Qëndrimi ynë është që PDK-ja në këtë mandat është e gatshme të jetë në opozitë dhe i dëshirojmë sukses Kurtit”, është shprehur ai.
Hamza ka thënë se procesi i formimit të institucioneve, veçanërisht zgjedhja e Presidentit, kërkon bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike, duke theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi LVV-në.
“Të gjitha partitë tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa Lëvizjen Vetrëvendosje. Lëvizja Vetëvendosje duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të tyre për t’i dhënë vendit institucione”, ka theksuar ai.
Hamza ka theksuar gjithashtu se PDK-ja do të mbështesë në Kuvend çdo nismë në interes të qytetarëve ë edhe duke qenë në opozitë.
“Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike në Kuvend, në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.
Gjatë ditës, Kurti do të takohet edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja të shtetit.
Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka nisur të rrjedhë të enjten. Konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet deri më 7 gusht. Pas konstituimit, kuvendi duhet të votojë për përbërjen e kabinetit të ri qeverisës, e pastaj duhet të zgjedhë Presidentin e vendit.
Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë nuk do të jenë problem për Vetëvendosjen, e cila i ka 53 deputetë. Asaj i nevojiten edhe 8 vota për formimin e qeverisë dhe ato, sipas marrëveshjeve të deritashme, do t’I sigurojë nga deputetët e komuniteteve pakicë, pa përfshirë Listën Serbe.
Por, e hapur mbetet çështja e Presidentit. LVV-ja nuk mund të sigurojë kuorumin e nevojshëm në Kuvend (së paku 80 vota), prandaj e ka të domosdoshme mbështetjen e së paku dy partive tjera shqiptare (PDK-së, LDK-së dhe Aleancës). Rrjedhimisht, LVV-ja duhet të arrijë konsensus për formimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale.
(r.m.)