Biznesmeni me bazë në Miami, i cili shiti një pjesë të tokës për projektin, dyshohet se ka falsifikuar regjistrat e pronës.
Tomas Thor, Dealy Beast
Projekti i diskutueshëm i resortit luksoz të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri ka hasur në një pengesë të re pasi prokurorët dyshojnë se toka e lidhur me zhvillimin e këtij projekti mund të jetë fituar përmes dokumenteve të falsifikuara të pronësisë.
Prokurorët shqiptarë të antikorrupsionit po e hetojnë biznesmenin Artur Shehu me bazë në Miami, i cili e ka shitur një pjesë të vijës bregdetare të planifikuar për resortin multi-miliardë dollarësh të Kushnerit në fillim të këtij viti. Prokurorët pretendojnë se Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij kanë pastruar para të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe dyshojnë se ai përdori dokumente të falsifikuara të pronave për të krijuar një perandori të pasurive të paluajtshme.
Sipas dosjes gjyqësore që e ka parë Reuters, Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e Shqipërisë ka “dyshime të arsyeshme” se asetet e lidhura me marrëveshjen ishin siguruar përmes dokumenteve të falsifikuara. Prokurorët e akuzuan Shehun dhe bashkëpunëtorët e tij edhe për trafikim të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë dhe për pastrim të parave të drogës përmes investimeve në prona të paluajtshme.
Shehu i ka mohuar me forcë këto pretendime. Avokati i tij, Kujtim Cakrani, i tha agjencisë Reuters se klienti i tij “nuk është as trafikant droge dhe as falsifikues dokumentesh të pronësisë” dhe këmbënguli se akuzat janë të pabaza.
Kushner dhe Ivanka Trump nuk janë të dyshuar për ndonjë shkelje, e po ashtu as ndonjë nga investitorët e projektit. Reuters raportoi se nuk gjeti asnjë prova që tregojnë se investitorët ishin në dijeni për ndonjë problem me Shehun në kohën kur u ble toka.
Një zëdhënës i “Sazan Real Estate Development”, kompanisë së mbështetur nga Kushner që qëndron pas projektit, i tha Reutersit se investitorët vazhdojnë të besojnë se blerjet e tokës janë kryer në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me procedurat në fuqi.
Zhvillimi i projetktit të planifikuar përgjatë një pjese të paprekur të bregdetit Adriatik të Shqipërisë ka hasur në kundërshtime të ashpra të aktivistëve mjedisorë dhe banorëve vendës. Protestuesit thonë se projekti i kërcënon ligatinat dhe habitatet e jetës së egër, përfshirë popullatat e flamingove dhe breshkave të detit, të cilat janë bërë simbole të lëvizjes kundër ndërtimit të resortit.
Pilemikat e fundit mund ta ndërlikojnë më shumë sipërmarrjen e profilit të lartë, të cilën Kushner dhe Ivanka e zbuluan, siç thuhet, në vitin 2024, derisa po lundronin me një jaht andejpari. Kryeministri shqiptar Edi Rama ka mbetur një mbështetës i zëshëm i projektit dhe këmbëngul se ai do të ecë përpara pavarësisht sfidave të vazhdueshme ligjore dhe mjedisore.
Hetimi i SPAK-ut është në vazhdim dhe autoritetet nuk kanë njoftuar publikisht nëse ndonjëri nga të dyshuarit e identifikuar në këtë rast është arrestuar ose është akuzuar zyrtarisht.
(r.m.)