Rama: “Ballkanin e Hapur” ishte ide e tmerrshme vetëm sepse unë dhe Vuçiqi ishim pas saj

Beograd, 14 korrik 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar“partner të vështirë” Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në një intervistë për median serbe “Euronews Serbia”, kreu i qeverisë shqiptare ka zbuluar edhe arsyen që, sipas tij, nisma “Ballkani i Hapur” u konsiderua si “një ide e tmerrshme”.

“Ishte një ide e tmerrshme vetëm për një arsye – sepse unë dhe Vuçiqi ishim pas saj. Nëse do t’i hiqnim emrat tanë dhe do t’i zëvendësonim me, të themi, pesë të tjerë, do të konsiderohej një ide e shkëlqyer. Kështu funksionon gjithçka në Ballkan”, ka thënë Rama, transmeton Top Channel.

Kryeministri shqiptar e ka vlerësuar gjithashtu transformimin dhe progresin e Malit të Zi në rrugën e integrimit.

“Merita është e denjë. Mali i Zi ka qenë i jashtëzakonshëm në mënyrën se si është transformuar, nga një anije e lidhur me kontrabandën në një nëndetëse të verdhë që të gjithë e pëlqejnë. Ua heq kapelën. E respektoj këtë. Ata kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por vetëm kjo nuk mjafton”, ka thënë Rama.

Gjatë intervistë, e cila pritet të transmetohet e plotë të martën në mbrëmje, Edi Rama ka thënë se Evropa sot ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Evropën.

(r.m.)

Comment

*