Nga Avokati Kieran Both

Shërbimi i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të Shteteve të Bashkuara (U.S. Customs and Border Protection – CBP) ushtron të drejtën e kontrollit të pajisjeve elektronike – si p.sh. telefonave celularë, kompjuterave portativë, tabletëve dhe pajisjeve të tjera elektronike – të kujtdo që hyn në Shtetet e Bashkuara, përfshirë nënshtetasit amerikanë dhe shtetasit e huaj. Këto kontrolle mund të kryhen në pikat tokësore të hyrjes, në aeroporte, porte detare, si edhe në pikat e kontrollit paraprak (preclearance) të CBP-së jashtë Shteteve të Bashkuara, si në aeroportin e Dublinit ose Toronto. Këto kontrolle mund të kryhen pa marrë urdhër gjykate dhe pa patur dyshime për personin që i nënshtrohet kontrollit.
Me kontroll bazë nënkuptohet çdo kontroll kufitar që i bëhet një pajisjeje elektronike ku zakonisht shqyrtohet përmbajtja e saj, në mënyrë manuale nga një zyrtar emigracioni, pa e lidhur me pajisje të jashtme. Kontrolli i avancuar kryhet kur zyrtari i emigracionit e lidh pajisjen elektronike në fjalë me një pajisje të jashtme në mënyrë që të arrijë të futet në të për të shqyrtuar, kopjuar dhe/ose analizuar përmbajtjen e saj. Përpara se të kryejë një kontroll të avancuar, CBP-ja duhet të ketë arsye për të dyshuar se ka patur shkelje të ligjit ose se ekziston një shqetësim që lidhet me sigurinë kombëtare, si dhe të ketë marrë miratimin paraprak të një zyrtari drejtues të nivelit të lartë.
Rreziqet për privatësinë: CBP-ja mund të futet në të dhënat personale, konfidenciale dhe të ndjeshme që gjenden në pajisjet tuaja elektronike. Megjithëse të drejtat tuaja në pikat e hyrjes janë të kufizuara, mund të ndërmerrni masa për të mbrojtur të dhënat tuaja. Nëse refuzoni t’i jepni leje që të hyje në pajisjen tuaj, pajisja mund të sekuestrohet. Mbajtësve të vizës mund t’u refuzohet hyrja në Shtetet e Bashkuara nëse i refuzojnë CBP-së hyrjen në pajisjet e tyre elektronike. Në pikat e kontrollit paraprak (preclearance), kjo mund të çojë edhe në refuzimin e lejes për të hipur në avion.
Dhjetë Këshilla të Mira për të Mbrojtur të Dhënat Tuaja në Kufirin e Shteteve të Bashkuara
Udhëtoni me sa më pak pajisje elektronike: Merrni me vete vetëm pajisjet elektronike të domosdoshme. Caktoni një pajisje që ta merrni me vete vetëm kur udhëtoni, e cila të përmbajë sa më pak të dhëna personale.
Bëni back up përpara udhëtimit: Përpara se të udhëtoni, ruani skedarët tuaj të rëndësishëm në mënyrë të sigurt në një shërbim cloud ose në një pajisje të jashtme. Mbajini kopjet e skedarëve veç nga kompjuteri juaj portativ.
Jepini përparësi sigurisë së fjalëkalimeve: Mbroni pajisjet tuaja me fjalëkalime unike dhe të ndërlikuara. Megjithëse gjurmët e gishtërinjve dhe metodat e tjera biometrike të kyçjes janë më praktike, ato përgjithësisht konsiderohen më pak të sigurta sesa fjalëkalimet e ndërlikuara. Sa herë që është e mundur, aktivizoni autentifikimin me dy faktorë (2FA), i cili ofron një hap shtesë sigurie.
Njihni të drejtat tuaja:
Nuk jeni të detyruar të jepni fjalëkalimin tuaj, por refuzimi mund të çojë në sekuestrimin e pajisjes suaj. Mbajtësve të vizës mund t’u refuzohet hyrja në Shtetet e Bashkuara nëse refuzojnë nuk lejojnë hyrjen në pajisjet e tyre. Sic u përmend dhe më parë, në pikat e kontrollit paraprak (preclearance), kjo mund të rezultojë edhe në refuzimin e lejes për të hipur në avion.
Nënshtetasit amerikanë mund të refuzojnë t’u përgjigjen pyetjeve që shkojnë përtej të dhënave që lidhen me identitetin dhe detajet e udhëtimit, megjithëse kjo mund të shkaktojë vonesa. Banorëve të përhershëm të ligjshëm (mbajtësve të green card-ës) nuk mund t’u refuzohet hyrja në Shtetet e Bashkuara, por ata mund t’i nënshtrohen kontrolleve shtesë. Mbajtësve të vizës mund t’u refuzohet hyrja në Shtetet e Bashkuara nëse refuzojnë t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me udhëtimin e tyre dhe statusin e vizës.
Dokumentoni kontrollin në kufi:
Shënoni detajet e kontrollit, përfshirë dhe emrat si dhe numrat e identifikimit të agjentëve të CBP-së. Dokumentoni pyetjet që ju bëhen. Nëse intervista juaj është regjistruar, kërkoni një kopje të transkriptit.
Mbani me vete sa më pak të dhëna nga ato që keni të ruajtura: Mbani sa më pak të dhëna me vete gjatë kalimit të kufirit. Shiheni si mundësi marrjen me vete të një kompjuteri portativ apostafat për kur udhëtoni, që nuk përmban të dhëna delikate ose aplikacione që mbledhin dhe ruajnë të dhëna delikate. Fshini skedarët në mënyrë të sigurt, në vend që thjesht t’i zhvendosni në koshin e riciklimit. Shiheni si mundësi lënien në shtëpi të telefonit tuaj të zakonshëm dhe blerjen e një telefoni të përkohshëm, dhe më pas transferoni kartën SIM ose merrni një numër të ri në destinacionin ku po shkoni.
Kriptoni pajisjet tuaja: Aktivizoni kriptimin e plotë të diskut në të gjitha pajisjet tuaja për siguri shtesë. Përdorni fraza-fjalëkalime të vështira në vend të fjalëkalimeve të thjeshta.
Fikni pajisjet përpara kalimit të kufirit: Fikini plotësisht pajisjet tuaja përpara se të mbërrini në kufi, për të ndihmuar në mbrojtjen kundër sulmeve të mundshme të aksesit të pajisjes në distancë dhe përgjimit të të dhënave.
Kontrolloni pajisjet pasi t’jua kthejnë: Nëse kompjuteri juaj portativ sekuestrohet dhe më pas ju kthehet, ndizeni duke përdorur një pajisje të jashtme dhe kryeni një kontroll të plotë për të zbuluar nëse ka ndonjë program të paautorizuar ose nëse i është bërë ndonjë ndryshim.
Kufizoni aksesin në cloud: Kontrolli kufitar do të shqyrtojë vetëm informacionin që ndodhet në pajisje në momentin e kontrollit dhe nuk mund të ketë akses në informacionin e ruajtur në distancë. Çkyçuni nga llogaritë në aplikacione që mbajnë të dhëna delikate, çaktivizoni hyrjet automatike dhe shihni dhe mundësinë e fshirjes së aplikacioneve që mbajnë të dhëna personale. Gjithashtu, mund të konsideroni përdorimin e një VPN-je për pajisjet elektronike.
Si të silleni me agjentët kufitarë të Shteteve të Bashkuara
Jini të sinqertë: Mos gënjeni kurrë oficerët e CBP-së.
Ruani qetësinë: Mos debatoni dhe mos ndërhyni gjatë procesit të kontrollit.
Kuptoni drejt autoritetin e kontrollit: Kini parasysh se CBP-ja ka autoritetin të kontrollojë fizikisht pajisjet elektronike. Megjithëse nuk jeni të detyruar të jepni fjalëkalimet tuaja, refuzimi për ta bërë këtë mund të ketë pasoja, si p.sh. sekuestrimi i pajisjes ose refuzimi i hyrjes në Shtetet e Bashkuara.
Falënderojmë Shoqatën Amerikane të Avokatëve të Emigracionit (American Immigration Lawyers Association – AILA) për këtë informacion.
Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com