Kurti e lë të hapur mundësinë që Kosova të furnizohet me LNG amerikan

Prishtinë, 15 korrik 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka lënë të hapur mundësinë që Kosova të furnizohet me gaz të lëngëzuar (LNG) nga Shtetet e Bashkuara në të ardhmen. Por, ai ka bërë të qartë se qeveria e tij i jep përparësi gazifikimit të thëngjillit.

“Për të ardhmen, synojmë përdorimin e thëngjillit në mënyrë më të përgjegjshme me theks të veçantë të gazifikimi i tij, dhe po e shqyrtojmë mundësinë për ta përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës”, ka thënë Kurti gjatë ceremonisë së vendosjes së gurit të themelit të parkut solar fotovoltaik me kapacitet prej 105 megavatësh në Rahovec.

Kjo është hera e parë që Kurti apo ndonjëri prej ministrave të kabinetit qeveritar të deklarojnë se po shqyrtohet mundësia e furnizimit të Kosovës me gazin e lëngëzuar LGN-në amerikan.

Ehe ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte thënë se Qeveria në detyrë e sheh gazifikimin e thëngjillit si mundësi më të mirë se furnizimin me LNG-në amerikane.

Qeveria e Kurtit po përballet gjithnjë e më shumë me kërkesën për diversifikimin e burimeve energjetike. Odat ekonomike që i përfaqësojnë bizneset në Kosovë kanë bërë thirrje vazhdimisht që Kosova të përfshihet në projektin amerikan për furnizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me LNG. Ato kanë thënë se përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të projektit amerikan do të rriste sigurinë energjetike, do të diversifikonte burimet e furnizimit dhe do ta bënte vendin më tërheqës për investime.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës paralajmëruan gjithashtu se refuzimi i projekteve rajonale të LNG-së rrezikon të ketë ndikim negativ në partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

Në krah të bizneseve kanë dalë edhe partitë politike në opozitë: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca (ish-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës). Kjo e fundit, madje e ka vënë si njëri ndër pesë kushtet për pjesëmarrje në procesin e formimit të institucioneve të reja tyë shtetit.

Thirrjeve për diversifikimin e furnizimeve me energji në Kosovë u është bashkuara edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Prattipati. Në fillim të muajit qershor, në një opinion të saj, i ka bërë thirrje Kosovës që të hyjë në një partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes gazit amerikan.

“Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën”, ka thënë Prattipati.

SHBA-ja po bën përpjekje që të evitojë ndikimin e Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor përmes burimeve të energjisë. Disa shtete të rajonit kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane për të zgjeruar rrjetin e gazit.

Në Kosovë 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga thëngjilli. Vetëm rreth 10 për qind e energjisë prodhohet nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli.

Parku solar që nisi të ndërtohet sot në Rahovec është projekti më i madh i prodhimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme.

(r.m.)

Comment

*