Prishtinë, 17 korrik 2026 – Kosova ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) që të dënojë më ashpër deklaratën fashizoide të ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, duke theksuar se kjo çështje duhet të ngrihet edhe në diskutimet për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, në një letër drejtuar përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka kërkuar që BE-ja ta dënojë qartë dhe fuqishëm deklaratën e Paunoviqit, që t’ia kujtojë Serbisë se deklaratat e tilla bien ndesh me vlerat evropiane dhe që kjo çështje të ngrihet në dialogun për anëtarësimin e Serbisë në BE.
“Një reagim publik më i qartë dhe më i fuqishëm është i domosdoshëm për të mbështetur angazhimin e Bashkimit Evropian për parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftimin e revizionizmit historik”, thuhet në letër.
Tri kërkesat e Kosovës për BE-në:
- Të lëshohet një dënim i qartë, i fuqishëm dhe publik i deklaratës së ministres Paunoviq dhe retorikës revizioniste që ajo përfaqëson.
- T’ua rikujtojë zyrtarisht autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe jo në pajtim me vlerat evropiane dhe me kërkesat për procesin e pranimit në BE.
- Të ngrejë këtë çështje në mënyrë të duhur në kuadër të dialogut politik BE-Serbi dhe procesit të anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi ta kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian i trajton incidente të tilla.
Konjufca ka thënë se Kosova është e shqetësuar me reagimin e deritashëm të BE-së.
“Një deklaratë e tillë nga një ministre në detyrë s’mund të trajtohet si gafë. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke pasqyruar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë ta minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja, si dhe ta gërryejnë besimin në këtë proces”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka kërkuar që me Kallasit të takohet ose të bisedojë me telefon për të diskutuar për këtë çështje.
Ai ka theksuar se Kosova “mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë shumetnike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve” dhe se “spastrimi etnik dhe ndëshkimi kolektiv janë të papranueshme në çdo formë”.
(r.m.)