Haxhiu liron nga detyra të 7 prokurorë serbë të dorëhequr më 2022

Prishtinë, 21 korrik 2026 – Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka nënshkruar dekretet për lirim nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

Haxhiu ka thënë se këto dekrete i ka nënshkruar pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për lirimin nga detyra të prokurorëve serbë, i cili ishte marrë të hënën, pas refuzimit të kërkesave të tyre për tërheqjen e dorëheqjeve të vitit 2022.

“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra”, ka shkruar Haxhiu, në një postim në Facebook.

Ajoka thënë se me vendimin për lirim nga detyra të 7 prokurorëve serbë “përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

“Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj.

Prokurorët e liruar nga detyra kishin dhënë dorëheqje nga kjo detyrë në nëntor të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve në veri të vendit nga institucionet e Kosovës. Në atë kohë kishin dhënë dorëheqje edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, punonjësit e administratës në katër komunat me shumicë serbe në veri (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok) si edhe prokurorët, gjyqtarët dhe punonjësit administrativë në sistemin e drejtësisë në këto katër komuna.

Dorëheqja kolektive e serbëve që punonin në institucionet e Kosovës ishte nxitur nga Lista Serbe, partia e serbëve të Kosovës që kontrollohet nga Beogradi, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.

Çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u riaktualizua në muajin qershor, pasi ish-prokurorët, ish gjyqtarët dhe ish-policët serbë, si edhe ish-punonjësit serbë të administratës kërkuan rikthimin e tyre vë vendet e punës prej të cilave ishin larguar vetë.

Para pak ditësh, Bashkimi Evropian tha se kjo çështje është duke u trajtuar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Institucionet e Kosovës kishin thënë se të gjitha kërkesat për kthim të punonjësve të doëhequr do të shqyrtohen në mënyrë individuale dhe se të dorëhequrit do t’u nënshtroheshin procedurës së rregullt për pranim në punë.

(r.m.)

Comment

*