Interpoli refuzon kërkesën e Serbisë për urdhër-arrest ndaj 6 aktivistëve nga Novi Sadi

Beograd, 22 korrik 2026 – Interpoli e ka hedhur poshtë kërkesën e Serbisë për lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar për gjashtë aktivistë dhe studentë të lidhur me organizatën ‘Studentër Kundër Pushtetit Autoritar (Studenti Protiv Autoritarne Vlasti- STAV ) dhe Lëvizjen e Qytetarëve të Lirë (Pokret Slobodnih Gradjana, PSG), të cilët, sipas mbrojtjes së tyre, ndodhen në mërgim politik prej 16 muajsh.

Avokati i të akuzuarve, Veljko Miliq, i ka thënë “Insajder”-it se Interpoli ka vlerësuar se rasti ishte i natyrës politike, andaj nuk do të veprojë sipas kërkesës së Serbisë.

“Interpoli e konsideron atë si një nga të ashtuquajturat krime politike, çka do të thotë se nuk do t’i kërkojë gjashtë të akuzuarit në vende të tjera,” ka thënë Miliq.

Ai ka thënë se Interpoli është agjenci neutrale dhe nuk vepron në rastet që lidhen me krime politike.

Zyra e Prokurorit për Krimin e Organizuar në Serbi i akuzon aktivistët dhe studentët se kanë planifikuar ndryshim me dhunë të rendit kushtetues të Serbisë në prag të protestës së 15 marsit të vitit të kaluar. Ata akuzohen se “kanë përgatitur një akt kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë”.

Sipas mbrojtjes, akuzat bazohen në një bisedë të përgjuar, e cila është regjistruar në mënyrë të kundërligjshme.

(r.m.)

Comment

*