Kongresmeni Wilson: Deklarata të neveritshme e ministres serbe. AP OSBE duhet ta refuzojë kandidaturën e Beogradit për organizimin e takimit vjetor të 2027

Uashington, 22 korrik 2026 – Kongresmeni amerikan Joe Wilson ka reaguar ashpër ndaj deklaratës fashizoide të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte kryer “spastrimin etnik të Kosovës”.

Wilson i ka cilësuar si “të neveritshme dhe nxitëse” deklaratat si ajo e ministres Paunoviq dhe ka theksuar se kjo është arsye që Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE PA) nuk duhet ta marrë në konsideratë kandidaturën e Beogradit për të pritur takimin vjetor të organizatës në vitin 2027. Ai ka theksuar se OSBE-ja “është krijuar për të ndërtuar konsensus në Evropë, jo për të rindezur tensionet etnike”.

“Pikërisht këto komente të neveritshme dhe nxitëse nga një drejtuese e qeverisë serbe janë arsye që AP e OSBE-së nuk duhet ta marrë në konsideratë kandidaturën e Beogradit për të pritur takimin vjetor të vitit 2027. OSBE-ja është krijuar për të ndërtuar konsensus në Evropë, jo për të rindezur tensionet etnike”, ka shkruar kongresmeni Wilson, në një postim në X.

Kongresmeni Wilson ia ka bashkangjitur postimit një fotografi nga një prej operacioneve të forcave serbe në Kosovë në vitet 1998 e 1999, gjatë të cilave u dëbuan nga Kosova mbi një milionë shqiptarë

Ministrja serbe Snezhana Paunoviq, nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së dikurshme të Sllobodan Millosheviqit, nuk është tërhequr nga deklarata e saj, por ka thënë se ajo, gjoja “është nxjerrë jashtë kontekstit”.

Ajo u ka kërkuar falje vetëm Presidentit Vuçiq dhe Qeverisë së Serbisë pas reagimeve të shumta që ka shkaktuar deklarata e saj.

(r.m.)

 

Comment

*