SHBA-ja dhe Arabia Saudite nënshkruan marrëveshje për një program civil bërthamor

Riad, 23 korrik 2026 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Arabia Saudite kanë arritur një marrëveshje për përdorimin civil të energjisë bërthamore në shtetin e Gjirit. Marrëveshja është nënshkruar nga sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, dhe homologu i tij saudit, Princi Abdulaziz bin Salman.

Gjithashtu, është nënshkruar edhe një marrëveshje për kontrolle shtesë të sigurisë që synon krijimin e bazës ligjore për partneritet afatgjatë që mund të zgjasë me dekada.

Ministria Saudite e Energjisë tha se marrëveshja forcon përpjekjet për diversifikimin e burimeve të energjisë, avancimin e teknologjive të përparuara, si edhe zgjerimin e bashkëpunimit dhe investimeve në interes të ndërsjellë të të dy vendeve.

Sekretari Wright tha se marrëveshja i përmbush standardet më të larta dhe përfshin garanci kundër përhapjes së armëve bërthamore.

Shtetet e Bashkuara synojnë që nga marrëveshja të përfitojnë ekonomikisht, përmes eksportit të teknologjisë bërthamore, ndërsa Arabia Saudite do të plotësojë nevojat e saj për energji, gjhë që do të mundësojë rritjen e eksportit të naftës.

Marrëveshja duhet të miratohet nga Kongresi amerikan, ku pritet të ketë edhe kundërshtime. Shumë ligjvënës amerikanë janë kundër zgjerimit të teknologjisë bërthamore në Lindjen e Mesme, në këtë rajon politikisht i paqëndrueshëm.

Ekspertët e armëve bërthamore paralajmërojnë se, në afat të gjatë, pasurimi i uraniumit në Arabinë Saudite mund t’i hapë rrugën zhvillimit të një programi të vet bërthamor ushtarak. Sipas tyre, kjo mund të nxisë edhe shtete të tjera të rajonit të angazhohen në një garë të re armatimi bërthamor.

“Ideja se kjo histori do të ketë një fund të lumtur është iluzion,” tha Henry Sokolski, drejtor i Nonproliferation Policy Education Center në SHBA, në një intervistë për gazetën Wall Street Journal.

Por, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përpoq të zbusë kritikat ndaj marrëveshjes.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të lidhin me asnjë vend në botë një marrëveshje që krijon rrezik për përhapjen e armëve bërthamore”, tha ai duke u përgjigjur në pyetjen se a mund të nxisë kjo marrëveshje një garë të re bërthamore në një rajon të paqëndrueshëm.

Qeveria amerikane nuk e ka bërë ende publike përmbajtjen e marrëveshjes. Por, sipas burimeve qeveritare, ajo nuk e përfshin Protokollin Shtesë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), i cili parashikon mekanizma më të fortë monitorimi, inspektimi dhe kontrolli.

Kjo mungesë ka shtuar shqetësimet e kritikëve, të cilët kërkojnë garanci më të forta për të parandaluar çdo përdorim ushtarak të programit bërthamor.

Arabia Saudite nuk ka aktualisht program të armëve bërthamore, por po e fuqizon përdorimin civil të energjisë atomike.

(r.m.)

Comment

*