Katër vjet pas dorëheqjes së prokurorëve serbë, Kosova përgatit konkurs të ri

Prishtinë, 23 kortrik 2026 – Gati katër vjet pasi dhjetëra gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë serbë u larguan nga institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës, autoritetet po përgatiten të nisin një proces të ri për plotësimin e vendeve të mbetura bosh.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) konfirmon për Radion Evropa e Lirë se është duke përgatitur konkursin për rekrutimin e prokurorëve nga radhët e komunitetit serb, pasi ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

Në konkurs do të mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që i plotësojnë kushtet ligjore, përfshirë edhe ish-prokurorët, të cilëve iu refuzua kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve.

Vendimi shënon një kthesë në një çështje që kishte mbetur pezull për gati katër vjet, por, njëkohësisht, ka nxitur kritika nga Bashkimi Evropian dhe dilema mes njohësve të drejtësisë nëse është marrë në momentin e duhur dhe nëse do ta ndihmojë apo do ta vështirësojë riintegrimin e juristëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Pse u hap rruga për konkursin?

Më 21 korrik, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nënshkroi dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Dekreti u nënshkrua një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesën e pesë prokurorëve serbë dhe 15 punonjësve administrativë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për të tërhequr dorëheqjet e tyre.

Prokurorët dhe gjyqtarët serbë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ky veprim – i nxitur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi – erdhi në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.

Bashkimi Evropian reagoi duke thënë se vendimi i Haxhiut “nuk duket të jetë në përputhje me ligjin”, pasi prokurorët kishin njoftuar më herët se dëshironin të riktheheshin në detyrë.

Brukseli u bëri thirrje institucioneve të Kosovës të shmangin veprimet që mund të pengojnë riintegrimin e personelit gjyqësor serb.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, por në një reagim për mediat në Prishtinë, ajo rikujtoi se Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e komunitetit serb në institucione dhe tha se pret që Qeveria e Kosovës të sigurojë mundësi të barabarta për pjesëtarët e këtij komuniteti.

KPK: Ish-prokurorët mund të aplikojnë sërish

Zëdhënësi i KPK-së, Bedri Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i rekrutimit do të zhvillohet sipas legjislacionit në fuqi dhe se konkursi do të jetë i hapur për të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore.

Ai konfirmon se kjo përfshin edhe ish-prokurorët, të cilëve iu refuzua kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve.

“Procesi i rekrutimit do të zhvillohet përmes procedurave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe në përputhje me kriteret ligjore përkatëse”, thotë Gashi.

KPK-ja nuk bëri të ditur se kur do të shpallet konkursi, duke thënë se afatet do të përcaktohen gjatë procedurës.

Çfarë do të ndodhë me gjyqtarët?

Ndryshe nga Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ende nuk ka marrë vendim për kërkesat e gjyqtarëve serbë që kanë kërkuar të tërheqin dorëheqjet e tyre.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, KGJK-ja thotë se kërkesat do të shqyrtohen me kujdes dhe se publiku do të njoftohet pasi Këshilli të marrë vendim.

Institucioni nuk bën të ditur se sa gjyqtarë kanë kërkuar rikthimin në sistem, duke thënë se është ende në proces të mbledhjes së të dhënave.

Një proces i lidhur me Marrëveshjen e Brukselit

Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës nuk është vetëm një çështje e funksionimit të institucioneve.

Ai buron si nga Kushtetuta e Kosovës, e cila kërkon që përbërja e gjykatave dhe prokurorive të pasqyrojë përbërjen etnike të zonave ku ushtrojnë juridiksionin, ashtu edhe nga marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 vendosi parimin e integrimit të sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës. Dy vjet më vonë, Marrëveshja për Drejtësinë përcaktoi modalitetet për integrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb në institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Zbatimi i këtij procesi nisi në tetor të vitit 2017, kur dhjetëra gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë serbë u integruan në sistemin e drejtësisë së Kosovës, në atë që u konsiderua si një nga rezultatet më konkrete të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë në fund të vitit 2022 e ndërprenë këtë proces.

Tash, me lirimin përfundimtar nga detyra të prokurorëve që dhanë dorëheqje dhe paralajmërimin për një konkurs të ri, institucionet synojnë t’i plotësojnë vendet vakante duke ruajtur përfaqësimin e komunitetit serb në sistemin e drejtësisë.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*