Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 6 gusht

Prishtinë, 24 korrik 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi të premten ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit ta thërrasë për datën 6 gusht, vetëm një ditë para skadimit të afatit kushtetues.

Haxhiu, në një konferencë për media, tha se ajo nuk e kishte ftuar me nguti seancën konstituive për t’u dhënë mundësi partive politike që të arrijnë një marrëveshje për çështjen e presidentit të ri të vendit, meqë afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit fillojnë të rrjedhin vetëm pas konstituimit të Kuvendit.

“Për shkak të kësaj lidhje kushtetuese ndërmjet konstituimit të Kuvendit dhe procedurës së zgjedhjes së presidentit, kam vlerësuar me kujdes çdo hap që është ndërmarrë gjatë këtyre javëve”, tha Haxhiu.

“Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politikanësh për çështjen e Presidentit, kam vendosur që të mos e thërras me nguti seancën konstitutive, por të shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’ju krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe për ndërtimin e një konsensusi”, theksoi ajo.

Haxhiu tha se i ka mirëpritur përpjekjet e kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për arritjen e një marrëveshje për çështjen e presidentit. Ajo tha se është detyrë e partive parlamentare që të vazhdojnë dialogun për arritjen e konsensusit politik për formimin e institucioneve shtetërore që do të thotë shmangie e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.

“Dialogun ndërmjet tyre askush nuk duhet t’i shohë si një shenj dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike. Në një demokraci parlamentare përgjegjësia për ndërtimin e institucioneve nuk është ekskluzivitet i dikujt, por u takon të gjithëve. Marrëveshja kërkon gatishmëri dhe seriozitet nga të gjitha palët”, theksoi ajo.

Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, periudha 60-ditore për zgjedhjen e presidentit të vendit nis të rrjedhë pas konstituimit të Kuvendit. Por, arritja e konsensusit politik për zgjedhjen e presidentit nuk duket ende në horizont.

Partisë më të madhe në Kuvend, Lëvizjes Vertëvendosje (LVV), e cila mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe ta formojë qeverinë vetëm me partnerët e saj në qeverisjen e mandatit të kaluar, i nevojiten edhe së paku 18 vota për krijimin e kuorumit për zgjedhjen e presidentit. Partia e dytë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se nuk do të marrë pjesë në procesin e formimit të institucioneve të reja, ndërsa Aleanca (ish-Aleanca për ardhmërinë e Kosovës) ka shtruar kushte që vështirë se mund të plotësohen nga LVV-ja. Deri më tash, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur interes për ndarjen e pushtetit me LVV-në.

Por, LDK tashti përballet me përplasje të brendshme. Pothuajse gjysma e delegatëve të Kuvendit të partisë kanë kërkuar mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, ku, siç është poaralajmërar, do të kërkohet edhe shkarkimi i kryetarit Lumir Abdixhiku. Për këtë arsye, Abdixhiku i ka pezulluar negociatat me Albin Kurtin për një marrëveshje për ndarjen e pushtetit dhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm,

LDK-ja nuk ka njoftuar ende se kur do të mund të mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm i partisë, nga përfundimet e të cilit do të varet marrëveshja eventuale për zgjedhjen e presidentit.

Në rast të mungesës së marrëveshjes, Kosova do të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme. Përveç nëse në mesin e deputetëve do të ketë edhe të tillë që votojnë ndryshe nga qëndrimet e deklaruar publikisht nga udhëheqjet e partive politike.

(r.m.)

Comment

*