Ish-kryetari i Prishtinës dënohet me 2 vjet burgim për mosdeklarim të saktë të pasurisë

Prishtinë, 24 korrik 2026 – Ish-kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u dënua me dy vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ahmeti u shpall fajtor për mosdeklarim të saktë të pasurisë gjatë kohës që e ushtronte detyrën e kryetarit të Prishtinës.

Gjykata e refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar nga Ahmeti në vlerë prej 172.600 eurosh.

Kryetari i trupit gjykues, Leon Perllaska, tha se dënimi me burgim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm, ndërsa gjoba duhet të paguhet brenda tre muajsh pasi vendimi të bëhet i plotfuqishëm.

Një ditë më parë, Ahmeti u deklarua i pafajshëm para gjykatës. Ai tha se shuma prej 172.600 eurosh ishte ndihmë financiare nga familja e tij, prandaj nuk e kishte deklaruar si pasuri të tij.

Në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Ahmetit për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë. Sipas aktakuzës, Ahmeti, “me dashje” kishte paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos I përfshirë në deklaratat e deponimeve të parave të gatshme nga viti 2018 deri në vitin 2022, deponimin prej 172.600 eurosh.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, mosdeklarimi i pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet burgim.

Në Kosovë zyrtarët publikë duhet të deklarojnë çdo vit pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Agjencia zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.

Deri më tani, në Kosovë nuk ishte dënuar me burgim për mosdeklarim të pasurisë asnjë zyrtar. Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ishte dënuar në vitin 2022 me gjobë prej 700 eurosh, për mosdeklarim të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor.

(r.m.)

Comment

*