Prishtinë, 27 korrik 2026 – Kosova dhe Franca nënshkruan sot në Prishtinë pesë marrëveshje që synojnë thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme. Nënshkrimi i marrëveshjeve u bë gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të ministrit të Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad.
Për Francën marrëveshjet u nënshkruan nga dhe ministri Haddad, ndërsa për Kosovë u nëshkruan nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca (4 sosh), dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, (një sosh).
“Jam i lumtur që kemi nënshkruar pesë marrëveshje gjithëpërfshirëse, të cilat synojnë të avancojnë një agjendë pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Këto marrëveshje janë konkrete dhe krijojnë perspektivë për bashkëpunim afatgjatë”, u shpreh ministri francez.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është dëshmi e forcimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Francës.
“Marrëveshjet e nënshkruara sot dëshmojnë se partneriteti ynë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në projekte, investime dhe rezultate konkrete për qytetarët e Kosovës”, shkroi ai në Facebook.
Ambasada e Francës njoftoi se sot u nënshkruan pesë marrëveshje dhe konventa, përfshirë një hua prej 60 milionë eurosh për financimin e infrastrukturës së Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
“Në kuadër të vizitës janë nënshkruar pesë marrëveshje dhe konventa, përfshirë një hua prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) për financimin e infrastrukturës së Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një letër qëllimi për bashkëpunim në sport, dy konventa për ndihmë juridike dhe ekstradim, si dhe një marrëveshje për forcimin e mësimit të gjuhës frënge në Kosovë. Në kuadër të kësaj vizite u nënshkruan pesë marrëveshje dhe konventa: Një hua investuese prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) për financimin e ndërtimit të infrastrukturës së qëndrueshme për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 që do tê shfrytëzohet edhe pas tyre. Marrëveshja përfshin renovimin dhe zgjerimin e kampusit studentor të Universitetit të Prishtinës, si dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në 13 institucione arsimore në Prishtinë. Projekti plotësohet me grante në vlerë totale prej 1.2 milionë eurosh për përgatitjen dhe mbështetjen e fazës së zbatimit. Një letër qëllimi për Lojërat Mesdhetare 2030, që parasheh krijimin e një Komiteti Francë–Kosovë për zhvillimin e sektorit ekonomik francez të sportit në Kosovë. Gjithashtu do të krijohet një grup pune për rininë dhe sportin. Dy konventa për ndihmë juridike reciproke dhe ekstradim, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik. Një marrëveshje administrative për forcimin afatgjatë të mësimit të gjuhës frënge në Kosovë dhe nxitjen e mobilitetit dhe shkëmbimeve arsimore”, thuhet në komunikatën er ambasadës francize në Prishtinë.
Në komunikatë thuhet se gjatëvizitës së ministrit francez në Prishtinë u organizua edhe një tryezë e rrumbullakët ku u shqyrtuan perspektiva të reja bashkëpunimi midis Francës e Kosovës. Në tryezë, përveç ministrit Haddad, morën pjesë edhe minisrja në detyrë e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, si edhe përfaqësues të AFD-së dhe kompanive franceze.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cilësoi shumë të rëndësishme nënshkrimin e dy konventave nga sfera e drejtësisë, konventën për ndihmë juridike reciproke dhe konventën për ekstradim të personave të kërkuar nga organet e drejtësisë së të dy vendeve. Ajo tha se me nënshkrimin e këtyre konventave avancohet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Francës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe kriminalitetit ndërkufitar.
“Këto marrëveshje janë një lajm i mirë për drejtësinë dhe qytetarët, por një lajm i keq për grupet kriminale”, theksoi Gërvalla në Facebook.
(r.m.)