Prishtinë, 27 korrik 2027 – Ministri i deleguar për Evropën në Qeverinë e Francës, Benjamin Haddad, deklaroi sot në Prishtinë se Franca e mbështet integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Por, ai theksoi se ky proces është kërkues dhe bazohet në përmbushjen e angazhimeve të marra nga Kosova, përfshirë përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit.
“Ne e mbështesim integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Kjo është pjesë e projektit tonë më të gjerë për ribashkimin e Evropës. Ky proces është kërkues dhe bazohet në angazhimet ndërkombëtare. Në këtë rast, ai bazohet edhe në avancimin e zbatimit të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit.”, tha Haddad në konferencën e përbashkët për medie me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Ai tha se mbështetja e Francës për integrimin evropian të Kosovës bazohet në parimin e meritës.
“Po ashtu, mbështetet në parimin e meritës, që nënkupton reformat, përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Ne do të jemi shumë kërkues në këto fusha”, theksoi Haddad.
“Ne do të jemi pranë Kosovës në çdo hap të këtij rrugëtimi, duke punuar së bashku për t’i bërë realitet këto ambicie dhe objektiva plotësisht legjitime dhe të arritshme. Besojmë se kjo është rruga drejt paqes dhe stabilitetit në kontinentin tonë”, shtoi ai.
Haddad e cilësoi vizitën e tij në Kosovë si dëshmi të miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm mes dy vendeve.Ai tha se Franca ka qenë konsistente në mbështetjen e saj për Kosovën.
“Jam i lumtur që jam këtu si një mik personal i Kosovës, si përfaqësues i presidentit Macron. Lidhjet tona me Kosovën janë të qëndrueshme dhe konsistente”, deklaroi Haddad.
Ai rikujtoi mbështetjen e Francës për Kosovën ndër vite, përfshirë mbështetjen gjatë viteve ’90, negociatat për statusin e Kosovës, njohjen e pavarësisë së Kosovës etj, si edhe iniciativën franko-gjermane për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
“Mbështetja jonë dhe miqësia jonë janë të kahershme”, theksoi ai, duke e cilësuar veten e ti si “mik personal” të Kosovës. Ai theksoi se, “për shkak të kësaj historie të përbashkët” në vitin 2022 i ishte bashkuar Grupit të Miqësisë Francë–Kosovë në Asamblenë Kombëtare të Francës.
Ministri në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, shprehu kënaqësinë që Franca është mbështetëse e rëndësishme e projektit të Kosovës për integrim në Evropë.
“Franca, qysh prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka qenë dhe mbetet një par tner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës dhe shtyllë e projektit për integrimin evropian të vendit tonë”, tha Konjufca.
Ai theksoi se Kosova është e përkushtuar për realizimin e reformave që e afrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian.
“Republika e Kosovës ka dëshmuar përkushtimin e palëkundur ndaj reformave demokratike, sundimit të ligjit dhe përafrimit të politikave të saj edhe të jashtme, edhe të sigurisë, me Bashkimin Evropian. Në një kohë kur Evropa përballet me sfida të mëdha të sigurisë, besueshmëria e projektit evropian varet nga një zgjerim më i shpejtë dhe i drejtë, e i bazuar në merita”, u shpreh Konjufca.
Kosova ka bërë zgjedhjen e saj strategjike dhe zgjedhja jonë është Evropa, Bashkimi Evropian”, ka deklaruar Konjufca,
Ministri francez është takuar në Prishtinë edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka takuar ushtarët francezë në kuadër të KFOR-it dhe e ka vizituar Graçanicën dhe Manastirin e Graçanicës.
Ambasada e Francës në Kosovë tha se kjo vizitë e ministrit Haddad “rikonfirmon përkushtimin e Francës për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe multietnike, si dhe miqësinë ndërmjet dy vendeve”.
(r.m.)