Prishtinë, 28 korrik 2026 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se dy persona të dyshuar për krime të luftës në Kosovë janë arrestuar nga Policia e Kosovës me urdhër të saj,
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Në njoftim thuhet se të arrestuarit, me inicialet M.J dhe M.B., dyshohet se kanë kryer krime ndaj popullsisë civile në rajonin e Mitrovicës në vitin 1999.
Dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Speciale dhe ndaj tyre do të ndërmerren veprimet e mëtejshme procedurale, në përputhje me legjilsacionin në fuqi.
Prokuroria nuk e publikoi përkatësinë etnike të të arrestuarve dhe as vendin ku janë arrestuar ata. Ajo tha se hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim dhe se, “për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës penale, në këtë fazë nuk mund të bëhen publike më shumë detaje”.
Mediet serbe raportojnë se dy të dyshuarit janë pjesëtarë të komunitetit serb dhe se ata janë arrestuar në Zubin Potok.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi, ka thënë se akuzat për krime lufte janë shndërruar në “mjet për frikësimin” e popullit serb në Kosovë. Ajo I cilësoi arrestimet e serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë si “vazhdim të presionit” të autoriteteve të Kosovës dhekryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj komunitetit serb në Kosovë.
Ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka cilësuar arrestimin e dy serbëve në Zubin Potok si “terrorizëm, hakmarrje dhe frikësim” të pjesëtarëve të komunitetit serb.
Gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-1999, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe janë zhdukur mijëra të tjerë. Rreth 1.600 persona të zhdukur gjatë luftës nuk janë getur ende.
Autoritetet e Kosovës kërkojnë vazhdimisht që Beogradi t’i hapë arkivat e ushtrisë e të policisë serbe për të ndihmuar ndriçimin e krimeve të luftës të kryera në Kosovë, por kërkesa e tyre has në vesh të shurdhër.
Çështja e personave të zhdukur gjatë luftës është një prej çështjeve që është përfshirë në dialogun Kosovë – Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por në bisedimet e deritashme nuk ësëhtë bërë ndonjë përparim në këtë drejtim.
(r.m.)