Nga Ruben Avxhiu

Lisa Milicaj u nda nga jeta përpara kohe, në moshën 56 vjeçare por la gjurmë në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Ishte bashkëshortja e veprimtarit dhe biznesmenit të shquar Harry Bajraktari dhe pjesëmarrëse e shumë aktiviteteve të komunitetit shqiptar dhe të rajonit ku jetonte.
Lisa Milicaj ishte edhe nënë e gjyshe e përkujdesur. Humbja e saj vajtohet nga shumë të afërm, miq dhe dashamirës që e njohën.
Por Lisa pati edhe jetën e saj profesionale e politike me suksese që premtonin shumë.
Për ata që nuk e dinë, Lisa Milicaj ishte shqiptarja e parë e zgjedhur në pushtetin lokal në shtetin e New York-ut. Si Këshilltare e Bashkisë në Pleasantville ajo mishëronte shpirtin e luftës për të drejtat e komunitetit dhe bizneseve të vogla të qytezës me rrethina.
Lisa u rrit në një familje mërgimtarësh nga Kosova. Si shumë fëmijë të brezit të saj, që u rritën mes dy kulturash të ndryshme dhe përqafuan virtytet e shoqërisë amerikane dhe asaj tradicionale shqiptare. Kjo gjithmonë ka ardhur me sfida.
Por Lisa nuk u dorëzua asnjëherë. U mësua me punën që në moshë të re, shkëlqeu në studime, dhe në jetën profesionale. U shkollua në Shkencat Shëndetësore dhe punoi për disa kompani sigurimesh, por shumë shpejt ndoqi një tjetër karrierë. Ndonëse familja ishte e përqendruar në biznesin e pronave të patundshme, Lisa zbuloi talentin e saj në sferën e sigurimeve tregëtare, duke i dhënë fund një mungese të ndjeshme në komunitetin tonë.
Ajo krijoi kompaninë e saj First Insurance Agency dhe është përmendur e nderuar me çmime për suksesin e saj dhe kontributin në jetën e komunitetit dhe rajonit ku punonte.
Lisa kishte pikëpamje të forta politike që jo shpesh kanë krijuar debate. Ajo bëri emër kur u citua personalisht nga biznesmeni Donald Trump që sapo kishte hyrë në garën për të siguruar kandidaturën presidenciale të Partisë Republikane. Lidhjet e krijuara në rrethet konservatore Lisa i përdori për të mbrojtur me pasion çështjen kombëtare shqiptare.
Në janar 2018, bashkë me bashkëshortin e saj Harry Bajraktari ndodhej mes të ftuarve të rrallë që kanë fatin të ndjekin nga salla Fjalimin Vjetor të Presidentit Amerikan, në prani të të dy dhomave të Kongresit dhe të Gjykatës Supreme Amerikane. Aty, Lisa Milicaj tërhoqi shumë vëmendje kur u shfaq me plisin bardhë shqiptar në kokë duke bërë shenjën e shqiponjës.
14 vite më parë, në gusht 2012, kam pasur kënaqësinë ta intervistoj për suksesin e saj në biznes dhe zgjedhjen e radhës në jetën publike si Këshilltare në Pleasantville, për përvojën si fëmijë emigrantësh, si nënë fëmijësh që kishte zgjedhur të mos pranonte një martesë të palumtur, dhe pikëpamjet e saj të guximshme për jetën.
Motoja e saj ishte: “Beso në ëndrrën tënde dhe kurrë mos u dorëzo!”
Ajo që nuk dija në atë kohë ishte se familja e saj kishte përfunduar në Kosovë për shkak të rezistencës ndaj dhunës së shtetit të ri malazez që kërkonte që katolikët shqiptarë të regjistroheshin si ortodokëse duke i hapur rrugë sllavizimit. Familja e saj nuk iu dorëzua presionit, iu bashkua rezistencës të drejtuar nga Bajram Curri, dhe kaloi dekada duke ndërruar vendbanim, sepse shtëpitë e të parëve u dogjën e u bënë shkrumb nga ushtria malazeze.
Këtë karakter këmbëngulës dhe luftarak, Lisa e trashëgoi këtu në realitetin modern amerikan, duke mbetur deri në fund, një njeri që thoshte atë që mendonte dhe kishte kurajon t’u përmbahej pikëpamjeve e qendrimeve të saj edhe kur tërhiqnin kritika masive.
Mund të thuhet se fati ka qenë si bujar ashtu edhe dhe mizor ndaj saj. 56 vjet janë pak për një jetë aq premtuese, por nuk ka dyshim që janë vite që i jetoi me pasion dhe entuziazëm. Pushoftë në paqe!




