“Ndiqni ëndrrat tuaja dhe mos u dorëzoni kurrë!”

Nga Ruben Avxhiu

Kur intervistova Lisa Milicajn, 14 vjet më parë, ajo ishte plot jetë. Gjithçka dukej se po i shkonte për mbarë. I kishte mbijetuar një martese të palumtur dhe një periudhë pasigurie profesionale. Brenda pak vitesh, kishte ndërruar karrierë, kishte themeluar kompaninë e saj, ishte zgjedhur në një post publik dhe — e kuptova këtë vetëm në retrospektivë — kishte rënë tashmë në dashuri. E gjithë kjo, ndërsa rriste tre fëmijë dhe kujdesej për prindërit e saj.

Nuk e dimë se çfarë fati na pret në jetë. Kur dikush largohet nga kjo botë në një moshë kaq të re, na kujtohet se sa e çmuar dhe e brishtë është jeta.

Po e ribotoj intervistën, e cila mbase është pak e vështirë ta lexosh tani që Lisa ka ndërruar jetë, por m’u duk një bisedë me vlerë, për shkak të guximit dhe sinqeritetit me të cilën rajo eflekton mbi realitetin sureal me të cilin përballeshin shumë gra shqiptaro-amerikane të brezit të saj.

U prehtë në paqe.

 

 

Intervistë me Lisa Milicajn, drejtuese e suksesshme biznesi dhe anëtare e Këshillit Bashkiak të Pleasant Valley, Nju Jork

 

Ndiqni ëndrrat tuaja dhe mos u dorëzoni kurrë!

 

Për një qytetare të angazhuar që ngrinte zërin dhe merrte pjesë në borde të ndryshme, kandidimi për një post zyrtar erdhi natyrshëm

 

 

RUBEN: Nga çfarë pjese e Kosovës janë prindërit tuaj dhe çfarë i nxiti për të ardhur në Amerikë?

LISA: Prindërit e mi janë nga Zllakuqani, që ndodhet në Komunën e Klinës. Vendosën të vijnë në Amerikë kryesisht për shkak të rrethanave të vështira ekonomike dhe diskriminimit politik nga serbët. Kjo e kishte bërë të pamundur që babai im të gjente punë dhe të mbante familjen e tij. Ai ishte jashtëzakonisht i motivuar jo vetëm për të ikur dhe për të kërkuar një të ardhme më të mirë, por edhe për të ndihmuar të gjithë familjen e tij që jetonte ende në Kosovë. Menjëherë pas kësaj, babai im ka ndihmuar të gjithë familjen të vijë në Amerikë një nga një.

 

RUBEN: Immigrantët e brezit të dytë shpesh rriten mes dy kulturave, të cilat kanë plot dallime, në mos bien ndesh me njëra-tjetrën. Cila ka qenë përvoja juaj personale me këtë? A ju ka ndihmuar, penguar apo përcaktuar formimin tuaj në ndonjë mënyrë?

LISA: Kjo është një pyetje intriguese e cila rrallë i bëhet dikujt, dhe ju jam mirënjohëse që jeni kaq i drejtpërdrejtë. Vëllezërit e mi dhe unë jemi brezi i parë i lindur në Amerikë nga familja jonë dhe do të thosha se ky brez specifik ndoshta vuan më shumë se çdo brez tjetër pasues pikërisht se rritet mes botëve plotësisht kontradiktore. Kur pyet nëse më ka ndihmuar, penguar apo më ka përcaktuar; i ka bërë të gjitha këto në momente të ndryshme të jetës sime.

Shqiptarët që erdhën në këtë vend kanë sjellë me vete të gjithë historinë e tyre dhe mjedisi ku u rritëm ka qenë shumë më i rreptë për gratë, me plot kufizime, por unë kam qenë e vendosur të gjeja anët pozitive të tij. Injektohesh që herët me një dozë të jashtëzakonshme krenarie, ndershmërie, pune të palodhur dhe konservatorizmi që vjen nga fakti se je i lindur shqiptar dhe kjo do të rrënjoset te ty, pavarësisht sa mund të dojë ta mohojë dikush. Për mua, çështja ishte si të përshtasja këtë moral me jetën gjithmonë e më të ndryshme “shqiptaro-amerikane” që po jetoja. Kam vënë re, se pas disa dekadash, njerëzit më në fund e vlerësojnë këtë, pavarësisht se çfarë ndodh.

Është e pamundur për fëmijët tanë dhe brezat pas tyre që të kuptojnë se sa e kufizuar ishte jeta jonë. Përballem me shprehje fytyrash nga më të çuditurat, sa herë u shpjegoj brezave më të rinj se në çfarë kushte jetese jemi rritur ne, dhe reagoj me buzëqeshje sepse e kuptoj që nuk mund ta përfytyrojnë dot; çka dëshmon se sa shumë kemi ndryshuar nga ajo kohë.

 

RUBEN: Njiheni si një drejtuese bizensi të suksesshëm në komunitet me kompaninë tuaj Agjensia e Parë e Sigurimit (First Insurance Agency). A keni qenë e përfshirë fillimisht në pasuritë e patundshme dhe më pas keni kaluar në industrinë e sigurimeve? Cila ka qenë rruga që ju çoi te “First Insurance”?

LISA: Kur isha e vogël, prindërit e mi ishin pronarë pasurish të patundshme në Bronks (Bronx). Unë kam punuar në industrinë e sigurimeve për shumë vite, megjithëse më duhet të pranoj se e shihja industrinë e pronave të patundshme në Bronks si një destinacion të ardhshëm.

Ndërkohë që ndiqja kolegjin me kohë të plotë për t’u diplomuar në Shkencat Shëndetësore, punoja me kohë të plotë për kompani të tjera në industrinë e sigurimeve. Isha ende në kolegj kur krijova kompaninë time. Nuk ishte diçka që e kisha pasur në plan, por sa më shumë punoja në atë fushë aq më shumë më tërhiqte.

Kur fillova të ndërmjetësoja Sigurime Tregëtare, aty e kuptova se po bija në dashuri me këtë aspekt të industrisë ku e gjeta veten në mënyrë jashtëzakonisht e natyrshme.

Isha rritur në një shtëpi ku ishte normale që në tryezën e bukës të flisje për inspektorë të ndërtimit, shkeljet dhe qiratë; ishte e natyrshme dhe unë e çmoj absolutisht pronësinë. Kjo më dha një avantazh në industri, së bashku me dëshirën time për të bërë diçka më shumë se ndërmjetësit e tjerë në këtë profesion dhe më shumë se biznesmenët e zakonshëm. Themelova një kompani të tillë ku i punësuari të vijë vërtet me gëzim në punë. Dhe si Ndërmjetëse Sigurimesh doja të gjeja mbulimin më të mirë me çmimet absolutisht më të mira, gjë që të gjithë thonë se e bëjnë, por nëse do ta bënin vërtet unë nuk do të kisha këtë biznes.

 

RUBEN: Shqiptarët në Amerikë, si ndoshta shumë komunitete të tjera etnike para dhe pas tyre, duket se i rezistojnë fillimisht idesë së sigurimit, qoftë në aspektin e biznesit apo në çështjet personale. Ne përpiqemi të edukojmë komunitetin rreth shumë apekteve të jetës amerikane dhe kjo është një prej tyre. Cila është vështrimi juaj si profesioniste e suksesshme nga kjo fushë?

LISA: Njerëzit shpesh dyshojnë se nga të gjitha anët i shtyjnë që të blejnë diçka dhe priren t’i rezistojnë gjithçkaje që ofrohet.

Dilema se a duhet blerë sigurimi bëhet më e lehtë nëse e shihni atë si dy mënyra për t’u përballur me një problem të papritur. E para, dikush mund të zgjedhë gjithmonë të mos blejë sigurim dhe nëse ndodh diçka si një rënie zjarri apo një padi gjyqësore, atëherë ata do të detyrohen të paguajnë për gjithçka nga xhepi. OSE e dyta, ata mund të zgjedhin të “transferojnë” rrezikun tek një kompani sigurimesh për një prim (pagesë mujore) të vogël.

Diçka tjetër që do të doja të shtoja ka të bëjë me Sigurimin e Jetës; kur njerëzit ndërrojnë jetë, ka një taksë që i vendoset pronës në pronësi të të ndjerit, kjo quhet Taksa e Trashëgimisë (Estate Tax). Blerja e Sigurimit të Jetës ndihmon në kompensimin e kësaj takse dhe lehtëson barrën mbi familjen ose individin të cilit i lihet prona. Po e ngre këtë pikë sepse shqiptarët zakonisht zotërojnë biznese dhe disa mund të mos jenë të vetëdijshëm për pasojat e kësaj takse, gjë që është për të ardhur keq pasi ata kanë punuar kaq shumë për të lënë dicka pas për familjen e tyre. Sigurimi i Jetës nuk bëhet të ndihmojë të siguruarin, por që njerëzit e tij të mund të përfitojnë pa u ndëshkuar financiarisht.

 

RUBEN: Gjithmonë ka pasur debate rreth rëndësisë së pjesëmarrjes së shqiptaro-amerikanëve në politikë, por rastet Janë  shumë të pakta. Si anëtare Këshilli në Pleasant Valley, duke filluar nga 1 janari i këtij viti, ju jeni një udhërrëfyese në këtë drejtim. Çfarë ju bëri të ndërmerrni këtë hap? Cila ka qenë përvoja juaj deri tani?

LISA: Unë fillova në anën tjetër të spektrit në fakt. Isha një banore shumë e angazhuar, që shpesh ngrija zërin  për t’u treguar njerëzve se ku po gabonin. Kam marrë pjesë për shumë vite në mbledhje të ndryshme të qeverisjes vendore, mbledhje të Bordit të Qytetit, Bordit të Planifikimit dhe Bordit të Zonimit. Më kanë inkurajuar shumë që të kandidoj për një post zyrtar, si hapi i radhës i natyrshëm për një njeri kaq të angazhuar saunë. E kam kundërshtuar shumë këtë nxitje, por në fund e mora vendimin bazuar në faktin se nuk kisha nevojë financiarisht për këtë punë dhe se jeta ime e përditshme në fund të fundit konsistonte në marrjen e vendimeve objektive në emër të njerëzve me një ritëm shumë të shpejtë. Duke qenë se nuk kisha nevojë financiarisht për këtë punë dhe nuk shqetësohesha nëse do të më rizgjedhin apo jo, ndjeva se gëzoja një avantazh të madh sepse shqetësimi im i vetëm si Këshilltare do të ishte si t’u shërbeja njerëzve të Bashkisë time sa më mirë që mundesha. Gjithashtu, unë jam e përfshirë drejtpërdrejt në çdo aspekt të kompanisë sime, kështu që të gjitha financat, rregulloret dhe të gjitha të tjerat do të ishin të lehta për t’u menaxhuar.

Përvoja ime ka qenë shumë e mirë, mendoj se kemi një Bord Qyteti shumë të mirë dhe punojmë shumë mirë së bashku. E di që. Nuk është kështu tjetërkund, por në këtë rast ka qenë një përvojë shumë e mirë.

 

RUBEN: Ka qenë më e vështirë për gratë të hyjnë në politikë, por duket se po ndryshon. Me siguri ka qenë më e vështirë në kontekstin shqiptar. Si nënë e tre fëmijëve, ju po jeni vetë një dëshmi e fortë e aftësive të grave sot. A keni ndonjë model frymëzimi në këtë kontekst dhe a keni vetë ndonjë këshillë për vajzat/gratë që duan të bëjnë përpjekje të ngjashme tani që tabuja po thyhet me shpejtësi?

LISA: Unë nuk kam ndonjë model frymëzimi. Megjithëse kur isha shumë e re dhe në një martesë shumë të palumtur, netëve pa gjumë, mendoja po sikur të mund të isha diku tjetër, ku do të doja të isha? Çfarë mund të isha duke bërë në vend të asaj gjendjeje të tmerrshme? Përgjigjja nuk ishte aq e qartë, por ky vizion i vetëm që kisha gjithmonë kur mbyllja sytë ishte mbajtja e një fjalimi në një podium. Sa ironike ishte; pasi të flisja ishte pikërisht gjëja që më më së paku më lejohej të bëja. Këshilla ime do të ishte: ëndërroni ëndrrat tuaja, mos ndaloni së punuari, dëgjoni më shumë dhe mos u dorëzoni kurrë. Nëse kujtohemi që  t’i vëmë në punë aftësitë tona më të mira, edhe kur zhurma e jashtme përpiqet t’i mbysë, gjëra të mahnitshme mund të ndodhin.

 

RUBEN: Ju vërtet që folët nga podiumi, gjatë një festimi të fundit të Ditës së Flamurit Kombëtar në Bronks dhe keni marrë pjesë në shumë ngjarje të rëndësishme dhe historike të komunitetit shqiptar këtu në SHBA. Cila është përfshirja juaj në komunitetin tonë? Cili është mendimi juaj për mënyrat se si ky komunitet po funksionon nga pikëpamja juaj dhe cfarë do të dëshironit të shihni të zhvillohet në të ardhmen?

LISA: ”Përfshirja” ime në komunitet nuk është shumë e shpeshtë për shkak të detyrimeve të mia të shumta ndaj familjes, punëve dhe duke marrë parasysh se sa larg jetoj nga Qyteti [i Nju Jorkut]. Megjithatë, “detyrimi” im ndaj komunitetit tim është krejt i ndryshëm; e kam për detyrë të jem më e mira që mund të jem, të qëndroj e fokusuar dhe t’i largohem negativitetit. Ka plot anëtarë të komunitetit që janë të suksesshëm dhe më pas ka pak prej tyre që jo vetëm janë bërë të suksesshëm, por janë rritur vazhdimisht në mënyrë sistematike pa hezitim, dhe unë frymëzohem nga të gjithë ata që kanë zgjedhur të bëjnë më mirë me jetën e tyre. Do të ishte e mrekullueshme që kjo rritje të vazhdojë dhe do të doja t’i kujtoj brezit të ri se asgjë nuk është më e rëndësishme se si dhe për çfarë e përdorni kohën tuaj të çmuar, dhe të mos lejoni t’ju ikë nga duart.

(Intervistuar nga Ruben Avxhiu, gusht 2012)

 

Comment

*