Uashington, 5 gusht 2026 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të mërkurën se një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të arrihet “nesër ose pasnesër”, duke shtuar se është bërë përparim në bisedime me Iranin, raporton Radio Evropa e Lirë.
Paraprakisht, Axios raportoi, duke cituar burime, se Shtetet e Bashkuara, Irani dhe Omani janë pranë arritjes së një marrëveshjeje të përkohshme për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, rrugës së ngushtë ujore nëpër të cilin zakonisht kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës përmes detit.
Sipas raportimit, njoftimi për marrëveshjen pritet të bëhet të mërkurën më vonë.
“Ata më telefonuan dhe më thanë: ‘Të lutem, le të bisedojmë’. Ata duan të bisedojnë”, tha Trump, duke iu referuar palës iraniane.
“Ata duan të arrijnë marrëveshje. Nuk duan të goditen”, u tha Trump gazetarëve para se të nisej nga Los Anxhelosi drejt Las Vegasit me avionin presidencial Air Force One.
Të martën mbrëma, Trump tha gjithashtu se administrata e tij pati “bisedime shumë të mira” me Iranin gjatë negociatave që zgjatën gjithë ditën të martën, duke rritur shpresat se konflikti pesëmujor me Iranin mund të përfundojë së shpejti.
“Ata negociuan gjatë gjithë ditës”, tha Trump për Fox News. “Ngushtica e Hormuzit do të hapet shumë shpejt”, shtoi ai. “Nëse tërhiqen sërish nga marrëveshja, do të goditen shumë rëndë”.
Trump ka kërcënuar shpesh me sulme të mëdha, nëse Teherani nuk arrin marrëveshje, por pastaj ka folur për përparim në bisedime, të cilat deri më tani nuk kanë arritur t’i japin fund luftimeve.
Irani e ka pezulluar pjesën më të madhe të qarkullimit detar nëpër Ngushticën e Hormuzit, derisa Uashingtoni po e vazhdon bllokadën ndaj transportit detar dhe porteve të lidhura me Iranin.
Trump dhe emiri i Katarit, sheik Tamim bin Hamad Al Thani, zhvilluan të martën një bisedë të gjatë telefonike për mundësitë e arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Teherani tha se bisedimet me Omanin lidhur me kalimin nëpër ngushticë kanë qenë pozitive dhe po vazhdojnë. Sipas mediave shtetërore iraniane, ato janë përqendruar në krijimin e korridoreve të sigurta detare për lundrim.
Ministriaje Jashtme iraniane tha se rruga që po negociohet synon të garantojë të drejtat sovrane dhe sigurinë kombëtare si të Iranit, ashtu edhe të Omanit.
Irani prej kohësh kërkon kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, për të cilën thotë se duhet ta administrojë së bashku me Omanin, që ndodhet në bregun përballë. Megjithatë, Teherani javën e kaluar hodhi poshtë një propozim të Omanit, i cili do të lejonte mbikëqyrje të përbashkët dhe mbledhjen e tarifave vullnetare nga anijet.
(r.m.)