Prishtinë, 6 gusht 2026 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas ndërprerjes së seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
PDK, në një deklaratë për publikun, e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV)dhe liderin e saj, Albin Kurti, për zvarritjen e procesit të forimimit të institucioneve shtetërore. Ajo vlerësoi se nuk kishte asnjë arsye të qëndrueshme për ndërprerjen e seancës,
“Seanca e sotme dëshmoi qartë se zvarritja e krijimit të institucioneve nuk është pasojë e rrethanave apo e mungesës së votave, por rezultat i një zgjedhjeje politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit.
Sot nuk kishte asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për Kryetar të Kuvendit dhe të procedohej me votimin për konstituimin e tij. Aq më tepër kur Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë në aktgjykimin e saj se Kuvendi jo vetëm duhet të mblidhet, por duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve”, thuhet në deklaratë.
PDK thekson se mosveprimi i sotëm përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe të detyrimeve që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ajo i bëri thirrje LVV-së dhe Albin Kurtit ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk ka të drejtë të mbajë peng institucionet e Republikës për interesa partiake. Partia Demokratike e Kosovës rithekson se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të plotë të Kushtetutës.
PDK i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të heqin dorë nga bllokada institucionale dhe të mundësojnë menjëherë konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e PDK-së.
(r.m.)