Informacion i përditësuar mbi udhëtimet brenda Shteteve të Bashkuara nëse keni Green Card

Avokati Kieran Both

Si rezident i përhershëm i ligjshëm (Lawful Permanent Resident – LPR), gëzoni më shumë të drejta se shumica e nënshtetasve të huaj. Megjithatë, të kesh Green Card nuk të bën të paprekshëm nga arrestimi, marrja në pyetje ose largimi nga Shtetet e Bashkuara. Një ndalim rutinë nga policia në shtetin “e gabuar”, një dënim penal në të kaluarën ose nënshkrimi i formularit të gabuar mund të çojnë në hapjen e procesit të largimit nga SHBA-ja. Njihni të drejtat tuaja përpara se të udhëtoni brenda Shteteve të Bashkuara.

Çfarë duhet të mbash me vete gjatë të gjithë kohës:

  • Green Card-ën (Formulari I-551): Sipas ligjit federal që të gjithë mbajtësit e Green Card-ës nga mosha 18 vjeç e lart, duhet ta mbajnë Green Card-ën me vete gjatë të gjithë kohës dhe ta paraqesin kur u kërkohet, para çdo zyrtari të emigracionit. Mosparaqitja e Green Card-ës përbën shkelje penale federale dhe mund të çojë deri në 100 dollarë gjobë ose në burgim deri në 30 ditë.
  • Green Card-a është një dokument të cilin TSA-ja (Administrata e Sigurisë së Transportit) e pranon si dokument identifikimi. Nuk ju nevojitet të paraqisni edhe patentën e shoferit (REAL ID) si dokument identifikimi kur udhëtoni me avion brenda Shteteve të Bashkuara.
  • Dokumenta shtesë identifikimi: Përdorni një kartë identifikimi (REAL ID) të lëshuar nga shteti përkatës ose pasaportën e vlefshme të vendit tuaj si dokumente dytësore identifikimi.
  • Numrin e telefonit të avokatit tuaj: Shkruajeni në një copë letër. Mos u mbështetni vetëm te fakti që e keni të ruajtur në telefon.

Në Aeroport: TSA-ja i Ndan të Dhënat me ICE-n

TSA-ja ia jep ICE-t informacionet e pasagjerëve që udhëtojnë brenda vendit. ICE-i më pas i krahason këto të dhëna me ato të regjistrave të personave që kanë urdhra deportimi dhe dërgon agjentë në aeroport për të kryer arrestime. ICE-i është tashmë i pranishëm në shumë aeroporte në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Kjo ka më shumë gjasa t’ju prekë nëse keni ende pezull një urdhër dëbimi, një urdhër arresti të pazgjidhur ose çfarëdo historie penale. Nëse ndonjëra prej këtyre situatave ngjan me tuajën mos udhëtoni me avion pa u konsultuar më parë me avokatin tuaj.

Skanimi i fytyrës: Keni të drejtë ta refuzoni

DHS-ja po bashkon arkivat e të dhënave biometrike të TSA-së, ICE-së, CBP-së dhe USCIS-it, përfshirë dhe të dhënat e nxjerra pas skanimit të fytyrës, në një platformë të vetme të unifikuar. Në fillim të vitit 2026, TSA-ja e shtriu përdorimin e skanimit të fytyrës në 65 aeroporte. Për fluturimet brenda vendit, aktualisht keni të drejtë të refuzoni skanimin e fytyrës. Thoni: “Refuzoj t’i nënshtrohem skanimit të fytyrës. Do të preferoja verifikim manual të identitetit.” Kërkoni të flisni me përgjegjësin nëse agjenti nuk pranon t’jua marrë parasysh refuzimin. Kini parasysh se skanimet e mëparshme të fytyrës, të kryera në momentin e hyrjes së ligjshme në vend, mund të kenë mbetur në sistem pavarësisht nëse më vonë zgjidhni të mos përdorni këtë shërbim.

Njihni faktorët që mund t’ju hapin probleme

E kaluara penale: Një dënim i vjetër për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit ose drogës (DUI), një kundërvajtje penale (misdemeanor) ose një marrëveshje pranimi fajësie (plea deal) mund t’ju bëjë subjekt të largimit nga Shtetet e Bashkuara. MOS pranoni kurrë një marrëveshje pranimi fajësie në një çështje penale pa u konsultuar më parë me avokatin tuaj të emigracionit.

Udhëtimi në shtete që paraqesin rrezik të lartë: Disa shtete — si Alabama, Teksasi dhe Florida — kanë ligje që krijojnë rreziqe shtesë dhe mund të çojnë në ndalim nga autoritetet e emigracionit ose arrestim gjatë një ndalimi rutinë në trafik. Konsultohuni me avokatin tuaj përpara se të udhëtoni nëpër shtete me rrezik të lartë nëse keni probleme që lidhen me statusin tuaj të emigracionit.

Udhëtimet me autobusa dhe trena — zona prej 100 miljesh: Patrulla Kufitare (Border Patrol) mund të hipë në autobusë dhe trena brenda një zone prej 100 miljesh nga çdo kufi i Shteteve të Bashkuara pa pasur nevojë për urdhër gjykate. Kjo zonë përfshin pjesë të konsiderueshme të territorit të SHBA-së, si p.sh. të gjithë Floridën, Miçiganin dhe disa shtete të New England-it, si edhe pjesë të mëdha të Arizonës, Kalifornisë, Teksasit dhe shteteve të tjera.

Nëse Ndaloheni, Merreni në Pyetje ose Mbaheni në Paraburgim

Ruani qetësinë: Mos ikni me vrap, mos kundërshtoni as mos bëni rezistencë fizike.

Paraqisni green card-ën: Sipas ligjit duhet ta paraqisni green card-ën nëse jua kërkojnë. Mos refuzoni.

Refuzoni skanimin e fytyrës: Thoni: “Refuzoj skanimin e fytyrës. Dua verifikim manual të identitetit.” Kërkoni të flisni me përgjegjësin nëse ju refuzohet kërkesa.

Mos flisni: Thoni: “Ushtroj të drejtën për të mos folur.”

Kërkoni avokat: Thoni: “Dëshiroj të flas me një avokat.”

Mos thoni asgjë tjetër.

Mos firmosni: Sidomos formularin për deportim me vullnetin tuaj të lirë “Voluntary Departure”. Firmosja e formularit në fjalë jua heq përfundimisht të drejtën për të dalë përpara gjykatësit të emigracionit.

Falënderoj Komitetin e Burimeve të Informacionit për Klientët, të Shoqatës Amerikane të Avokatëve të Emigracionit (AILA) që përgatiti këtë material informues.

Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com

Comment

*