Aleanca refuzon të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu

Prishtinë, 15 gusht 2026 – Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se as ai dhe as ndonjë përfaqësues i kësaj partie nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për të martën.

Haxhiu e thirri në një takim të përbashkët kryetarët apo përfaqësuesit e partive pqër të diskutuar për zgjidhjen e ngërçit politik dhe funksionalizimin e institucioneve kryesore të shtetit.

Gjini, në një letër dërguar Haxhiut, ka thënë se ajo nuk ka mandat ta luajë rolin e unifikueses së spektrit politik. Ai ka shprehur bindjen se takimi i thirrur prej saj ka qëllim shtyrjen e zgjedhjeve të reja për një datë që i konvenon LVV-së.

“Ju doni ta zvarrisnj këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet. Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi. Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, ka shkruar Gjini.

Letra e plotë e Gjinit:

E nderuar zonja Haxhiu,

Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik.

Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional.

Qëllimi juaj ëshë më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet.

Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi.

Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës.

Ardian Gjini

Kryetar i Aleancës

(r.m.)

Comment

*