Deputetja e PDK-së thotë se ka bazë ligjore për kallëzim penal ndaj Avni Deharit

Prishtinë, 17 gusht 2026 – Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se do të bëhet një kallëzim penal ndaj kryesuesit të seancës konstituive, deputetit të Vetëvendosjes, Avni Dehari, për mosvazhdim të seancës.

“Është cenim që z. Dehari po ia bën deputetëve të Republikës së Kosovës të zgjedhur nga populli duke mos lejuar vazhdimin e seancës konstituive, që është i obliguar me rregulloren e Kuvendit që është e miratuar me 2/3 e votave. Kjo përbën shkelje e mosushtrim i detyrës që i takon. Me këtë rast besoj se do të ketë kallëzim penal për mungesë, me vullnetin e tij, të ushtrimit të detyrës. Ka bazë ligjore të bëjmë këtë”, ka thënë Hoxha në “60 Minuta” në KTV.

Ajo ka thënë se Kosova aktualisht është “peng dhe jashtë normave kushtetuese”.

“Në këtë rast kemi pushtet mbi shtetin. Nuk mundet Kushtetuta të vlejë për dikë e për dikë jo. Ligji të vlejë për dikë e për dikë jo, rregullorja e Kuvendit të vlejë për dikë e për dikë jo. Këtu krijohet një precedent dhe s’mund t’i thuash nesër qytetarëve, bizneseve e operatorëve që operojnë në Kosovë që të respektojnë ligjin, përderisa të e ke zhvendosur komplet aspektin e zbatimit të ligjit”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka thënë se për të krijuar “kontekst politik për dialog, duhet të ulen tytat”.

“Duhet të ketë sinqerisht mirësi. E para duhet bëjë z. Kurti, ai është fitues i zgjedhjeve…Nëse populli ta jep besimin me qeverisë nesër, atëherë duhesh me ushtru atë në mënyrë të mundshme. Nëse ti e merr me arrogancë dhe e përkthen në barrikadim…atëherë nuk po çon askund pos në autokraci. Kurti në zgjedhjet e fundit edhe ka kërkuar 80 deputetët që të bëjë çfarë të dojë. Është në dorën e popullit të vendosë a dëshiron që gjitha instrumentet e shëtit e vendimmarrjen e pushtetit ta ketë një njeri, e të jetë mbi shtetin siç është sot edhe me më pak vota”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka thënë se nëse kryeministri në detyrë Albin Kurti dëshiron të ecë vendi para, atëherë duhet bërë konsensuse siç është bërë në të kaluarën.

Deri tash deputetët janë ftuar dy herë për ta konstituuar legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.

Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje mes partive, pasi sipas tij, vazhdimi i seancës konstituive pa marrëveshje mund ta tensionojë edhe më tej situatën dhe të çojë edhe në konflikt fizik brenda Kuvendit.

(KOHA)

Comment

*