Kurti e Abdixhiku thanë se biseduan për “profilin” e presidentit dhe jo për emra konkretë

Prishtinë, 18 gusht 2026 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u takuan sot pasdite për të diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re të vendit.

Pas takimit, i cili zgjati rreth dy orë e gjysmë, Kurti dhe Abdixhiku thanë se sot kanë biseduar për “figurën” e presidentit apo presid apo për “vlerat, meritat dhe kontributet.

“Shqyrtuam e diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes së re nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti për vlerat, meritat dhe kontributein në shoqëri”, tha Kurti. 

Ai mohoi se në takim është diskutuar për emra konkretë, por bëri të ditur se për këtë vendim “tejet të rëndësishëm dhe shumë të ndjeshëm” do të diskutohet në organet vendimarrëse të LVV-së dhe LDK-së.

“Është vendim tejet i rëndësishëm dhe është proces shumë i ndjeshëm. Andaj edhe pas këtij takimi, kemi nevojë që të kthehemi te subjektet tona përkatëse politike – ne te Lëvizja Vetëvendosje dhe delegacioni tjetër tek Lidhja Demokratike e Kosovës, në mënyrë që të zhvillojmë edhe konsultimet e brendshme dhe të ritakohemi ashtu që të merremi vesh”, tha Kurti.

Ai u shpreh optimist se LVV e LDK do të arrijnë pajtim për presidentin apo presidenten e ardhshme,

“Besoj që mirëbesimi që kemi, në njërën anë, dhe vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president, në anën tjetër, duhet se na bëjnë optimist”, u shpreh Kurti.

Edhe Abdixhiku e konfirmoi se në takim është arritur pajtim për “profilin” e president it të ardhshëm, duke theksuar se ai ose ajo duhet të jetë figurë jopartiake,

“Pra, nuk duam një president partiak, por një figurë e cila është e respektuar që e ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Jam i bindur se Kosova ka figura të tilla”, u shpreh ai.

Abdixhiku konfirmoi se për “figurën” e presidentit apo presidentes së ardhme do të diskutohet në styrukturat e dy partive, ndërsa për emra konkretë pritet të diskutohet në takimet e ardhshme.

“Është një temë gjithashtu shumë sensitive, prandaj kërkuam një periudhë diskutimesh dhe konsultimesh brenda subjekteve tona dhe me shoqërinë … para se të vijmë te emrat konkretë, në takimet e ardhshme”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se LDK-ja po diskuton me LVV-në vetëm për çështjen e president it, duke pasur objektiv vetëm “stabilitetin institucional”.

“Gjërat janë shumë të qarta. Pra, po flasim vetëm për çështjen e presidentit dhe LDK-ja nuk kërkon asgjë mbrapa, domethënë kërkon vetëm stabilitet institucional, në mënyrë që Kosova të ketë një lloj qetësie”, tha Abdixhiku.

As Kurti dhe as Abdixhiku nuk thanë se sa kohë do t’u duhet ta diskutojnë çështjen në forumet e partive të tyre dhe kur pritet të zhvillohet takimi i ardhshëm. 

Kurti shoqërohej nga nënkryetarja Arbërie Nagavci dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ndërsa Abdixhiku shoqërohej nga ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri.

(r.m.)

 

Comment

*