“Illyria” – gazetë e re e shqiptarëve të Amerikës

Botohet në Bronx NY nën kujdesin e Hajdar Bajraktari. Komiteti drejtues përbëhet nga gazetarë të njohur ndërkombëtarë, akademikë dhe biznesmenë. Del dy herë në javë me 12 faqe, nga të cilat 4 faqe në gjuhën anglisht.

 

 

Nga Naum Prifti, “Rilindja Demokratike”, Tiranë

Sapo na ra në dorë numri i parë i gazetës më të re tê shqiptarëve të Amerikës, “Illyria” që filloi botimin më 21 Qershor  1991 në Bronks NY, nën kujdesin e z. Hajdar Bajraktari. “Illyria” u shtohet dy gazetave të njohura të kolonisë shqiptare, “Dielli” që mban rekordin e jetëgjatësisë në shtypin shqiptar (1909) dhe “Liria”, me synimin të jetë një gazetë mbarëkombëtare për shqiptarët e Amerikës dhe të diasporës. Ka një format pak më të madh se “Drita”, del dy herë në javë, çdo të mërkurë e të premte, me 12 faqe, nga të cilat 4 faqe ne anglisht, që t’i japë mundësi edhe brezit më të ri të shqiptaro-amerikanëve që nuk e dinë gjuhën, të ruajnë ndjenjat kombëtare dhe të informohet për zhvillimet e reja që po ndodhin në Shqipëri, në Kosovë dhe në vise të tjera. Gazeta ka një paraqitje estetike mjaft të mirë, sa që mund të pohojmë se nga konceptimi teknik është gazeta më moderne e shtypit shqiptar.

Harry Bajraktari me numrin e parë të gazetës, qershor 1991.

Në artikullin redaktorial ” Përse botohet Illyria” shtrohet platforma ideore e gazetës dhe programi i saj. Ajo nuk është gazetë e ndonjë partie politike e grupimi shoqëror, por do të ndjekë traditën më të mirë të shtypit anglo-sakson, duke qëndruar e pavarur, për ta informuar lexuesin sa më mirë dhe asnjanësisht. 

Emri “Illyria” u zgjodh për nder të të parëve tanë që banonin në trevat e Ballkanit dhe në disa vize të Italisë Jugore dy mijë vjet përpara, pra në kuptim historik dhe politik. Aty  shkruhet: “Brenda kësaj hapësire jetojnë sot shtatë million shqiptarë, që nuk lejuan asimilimin, që ruajtën gjuhën dhe zakonet e që në thellësitë e zonate malore ku u strehuan e  mbajtën të gjallë frymën e lirisë dhe pavarësisë. Politikisht sot kemi dhjetë million shqiptarë nëpër botë. Dhe një pohim i tillë është një apel emotional i fuqishëm. Dhjetë milion shqiptarë pasardhës të ilirëve janë sot të bashkuar me një gjuhë dhe me histori, interesa  dhe aspirata të përbashkëta. Si çdo moment tjetër  në historinë e popujve, momenti i  tanishëm imposon detyra historike mbi brezninë tonë dhe atë të së ardhmes. Këto detyra janë bashkimi paqësor i kombit shqiptar dhe demokratizimi i shoqërisë shqiptare”.

Vendit e nderit e zë lajmi i vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetin Xhejms Bejker, në Jugosllavi dhe në Shqipëri, si ngjarje e shënuar historike në marrëdhëniet shqiptare-amerikane. Në faqet e tjera gjinden pjesë nga fjalimi i Ismail Kadaresë mes bashkatdhetarë në New York, pranimi i Shqipërisë në KSBE, përurimi i senatorit Bob Dole dërguar gazetës, artikulli shkruar posaçërisht nga senatori Claiborne Pell, Kryetar i Komitetit të Senatit Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme, me përshtypjet nga vizita në Shqipëri, artikuj problemorë dhe historikë nga akademiku Mark Krasniqi, Dr. Ibrahim Rugova, Dr. Sami Repishti, kronika nga përkujtimi i 113 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit organizuar në New York, nga vizita e Dom Simon Jubanit në ShBA, aktivitete kulturore e sportive të kolonive, fotografi, fjalëkryq, lajmërime, reklama të afaristëve dhe bizneseve shqiptarë etj.

Gjuha që përdor gazeta është një shqipe e pastër që respekton të gjitha rregullat dhe ortografinë e shqipes letrare të njësuar, e cila padyshim shënon një sukses të merituar për botuesit e saj.

I dërgojmë simotrës sonë më të re përshëndetjet tona më të përzemërta, duke i uruar suksese dhe jetë të gjatë në përmbushjen e  misionit të lartë kombëtar.

Redaksia e gazetës “Rilindja Demokratike”

Naum Prifti – Shkrimtar

Adresa: Illyria Albanian-Amerikan Newspaper

2321 Hughes Avenue, Bronx, N Y 10458

Tel (212) -220 2000 Fax (212)-220 9618

 

 

Vehbi Bajrami, botuesi aktual i gazetës “Illyria”, duke hapur një darkë festive në New York, me rastin e 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Darka u organizua nga gazeta “Illyria”.

Comment

*