Përfundojnë gërmimet në Zubin Potok. Zhvarrohen mbetjet e 23 personave, të gjetura në tri varreza masive

Prishtinë, 21 gusht 2026 – Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se ka përfunduar procesi i gërmimeve dhe ai i zhvarrosjes së mbetjeve mortore të zbuluara në tri lokacione në zonën e fshatrave Kalludër të Vogël dhe Jabukë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës, ku janë konfirmuar tri varreza masive.

Komisioni konfirmoi se në tri varrezat masive të zbukluara në këtë zone janë gjetur dhe zhvarrosut mbetjet kockore të 23 personave.

Komisioni tha ekzaminimet mjekoligjore do të bëhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe se identifikimi i mbetjeve kockore do të bëhet analizës së ADN-së.

“Pas përfundimit të aktiviteteve në terren, procesi vazhdon me ekzaminimet mjekoligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së, me qëllim të konfirmimit të identitetit të viktimave dhe për të pasuar me hapat e mëtejme sipas procedurave përkatëse përfshirë informimin zyrtar të familjeve”, tha Komisioni.

Institucionet e Kosovës dyshojnë se mbetjet mortore që u gjetën në këto tri varreza masive mund t’u përkasin 23 shqiptarëve që ishin zhdukur në këtë zonë në vitin 1999. Ky grup i shqiptarëve, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” që ishte nisur për në Mal të Zi, ishte i zhdukur prej 19 prillit të vitit 1999.

Policia e Kosovës raportoi të enjten se në lokacionet ku janë zbuluar varrezat masive janë gjetur e sekuestruar armë të llojeve të ndryshme, municione të kalibrave të ndryshëm, pajisje të ndryshme ushtarake e policore.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se gjatë operacioneve të zhvilluara nga 6 deri më 17 gusht, janë gjetur gjithsej 72 armë, përfshirë mitralozë, armë të gjata dhe të shkurtra, pushkë gjuetie dhe një pushkë ajrore.

“Janë gjetur 72 copë armë, prej tyre dy mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë armë të shkurtra dhe një pushkë ajrore. Gjithashtu, janë gjetur shtatë mjete shpërthyese, shtatë granata dore, pjesë plastike të paketimit të granatave, pjesë metalike të mjeteve shpërthyese dhe 4 mijë e 831 copë municion të kalibrave të ndryshëm”, tha ai.

Hoxha tha se gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe pajisje të tjera ushtarake dhe materiale që lidhen me armatimin.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se armët do të ekaminohen në laboratorët e forenzikës që të konstatohet nëse ato janë përdorur në rastin e vrasjes së 23 personave mbetjet e të cilëve janë gjetur në zonën e fshatrave Kalludër të Vogël dhe Jabukë apo në ndonjë akt tjetër kriminal të kryer gjatë luftës ose pas përfundimit të saj.

Gërmimet në komunën e Zubin Potokut nisën më 28 korrik, pas një hetimi dyvjeçar mbi dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile në këtë zonë.

Tre persona janë arrestuar nën dyshimet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe në fshehjen e kufomave të tyre. Gjykata ua ka caktuar të treve masën e sigurisë paraburgim.

Gjatë hetimeve të deritashme, është konfirmuar se njëri prej tyre ka qenë pjesë aktive e ish-ushtrisë jugosllave, një brogadë e së cilës ka operuar në këtë zonë në vitin 1999.

Autoritetet e Kosovës kërkojnë hapjen e arkivave të ushtrisë jugosllave, duke shprehur bindjen e në këto arkiva ka të dhëna për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe informacione për vendet ku janë groposur shqiptarët e vrarë.

Autoritetet e Serbisë refuzojnë hapjen e arkivave, por, sipas një ligji të miratuar në vitin 2014, ato nuk do të mund ta happen deri në vitin 2050.

(r.m.)

Comment

*