Prishtinë, 22 gusht 2026 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi të shtunën se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe për kalimin e përgjegjësisë për sigurinë nga KFOR-i te Policia e Kosovës.
Kurti njoftoi se sot (e shtunë) pasdite do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, për të diskutuar edhe për hapjen e plotë të urës.
“Për marrjen nën kontroll të urës, jemi në komunikim me KFOR-in. Kam një takim në Kryeministri me gjeneralin Ulutash. Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Brendshme”, tha ai.
Kurti tha se është e pakuptimtë që Ura e Ibrit të vazhdojë të mbahet e mbyllur, pas ndërtimit të dy urave të reja në të dy anët e saj. Ai theksoi se asnjë incident nuk ka ndodhur që prej hapjes së dy urave të reja.
“Pas ndërtimit të urave të reja, është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve e as tensioneve, tregon se qarkullimi i njerëzve dhe mallrave është e dobishme jo vetëm për ekonominë por edhe paqen dhe sigurinë”, theksoi Kurti.
Më 10 gusht, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, bëri të ditur se e ka filluar zvogëlimin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it në urën e Ibrit. KFOR-i ka thënë se ky vendim është marrë pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka akuzuar komandantin e KFOR-it, general-majorin Ozkan Ulutash për vendimin për zvogëlimin e pranisë fizike të KFOR-it në Urën e Ibrit.
Vuçiq e ka akuzuar dhe e ka fyer gjeneralin Ulutash, me arsyetim se ai e ka marrë këtë vendim pa konsultime me kryetarin e Mitrovicës Veriore dhe të komunitetit serb.
Vuçiq ka thënë se nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të kërkojë vazhdimin e pranisë së KFOR-it në këtë urë.
(r.m.)