Prishtinë, 22 gusht 2026 – Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi se takimi i komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Özkan Ulutas, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ishte planifikuar sot pasdite, nuk është zhvilluar.
KFOR-i njoftoi përmes një komunikate për medie, se takimi nuk u realizua “për shkak të rrethanave të paparashikuara”.
“Për shkak të rrethanave të paparashikuara, takimi i sotëm midis komandantit të KFOR-it, gjeneraljamorit Ulutash dhe z. Kurtit nuk u zhvillua. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë partnerët, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Për takimin e planifikuar me gjeneralmajorin Ulutash njoftoi sot paradite Kurti.
Duke folur për zvogëlimin gradual të pranisë së KFOR-it në Urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe për bartjen e përgjegjësisë së sigurisë në urë te policia e Kosovës, Kurti tha se për këtë temë do të bisedonte me gjenralmajorin Ulutash.
“Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha ai.
Kurti e cvilësoi absurde mbajtjen mbyllur të Urës kryesore mbi lumin Ibër pas hapjes së dy urave të tjera në të dy anët e saj. Ai theksoi se që nga hapja e këtyre dy urave nuk ka ndodhur asnjë incident që do të justifikonte dyshimet për sigurinë në qytetin e ndarë.
“Pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë”, theksoi Kurti.
Më 10 gusht, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, bëri të ditur se e ka filluar zvogëlimin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it në urën e Ibrit. KFOR-i ka thënë se ky vendim është marrë pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka akuzuar komandantin e KFOR-it, general-majorin Ozkan Ulutash për vendimin për zvogëlimin e pranisë fizike të KFOR-it në Urën e Ibrit.
Vuçiq e ka akuzuar dhe e ka fyer gjeneralin Ulutash, me arsyetim se ai e ka marrë këtë vendim pa konsultime me kryetarin e Mitrovicës Veriore dhe të komunitetit serb.
Vuçiq ka thënë se nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të kërkojë vazhdimin e pranisë së KFOR-it në këtë urë.
(r.m.)