Zelensky kundërshton thirrjet për mbajtjen e zgjedhjeve gjatë luftës

Kiev, 23 gusht 2026 – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kundërshtoi  thirrjet për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë gjatë luftës, duke i cilësuar ato si “një cunam” që do të “përçante Ukrainën”, në një kohë kur Rusia po i intensifikon sulmet e saj vdekjeprurëse.

Duke folur me gazetarët në Kiev më 22 gusht, Zelensky iu përgjigj thirrjes së ish-ministrit të Mbrojtjes, Mykhaylo Fedorov, që Ukraina të gjente një mënyrë për të mbajtur zgjedhje pavarësisht luftës, që po vazhdon.

“Zgjedhjet tani janë një cunam për shtetin që do të përçante Ukrainën. Prandaj, strategjia ime është ta çoj vendin deri në fund të luftës dhe të ruaj një shtet të pavarur dhe sovran”, tha Zelensky.

Fedorov, shkarkimi i të cilit muajin e kaluar nxiti protesta, iu drejtua ukrainasve përmes një videoje më 21 gusht, ku kritikoi korrupsionin gjatë luftës, paralajmëroi për një krizë sistematike të qeverisjes dhe tha se vendi duhet të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje pavarësisht, pushtimit në shkallë të plotë, të nisur nga Rusia.

Zelensky i bëri këto komente më 23 gusht, në Kiev, para samitit NB8-Ukrainë, i cili mblodhi liderët nordikë dhe baltikë me udhëheqësin ukrainas, një ditë para Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

Liderët e Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë dhe Norvegjisë u mblodhën në kryeqytet, sipas ministrit të Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të lartë nga vendet partnere.

Kryeministri estonez, Kristen Michal, i cili bashkudhëhoqi samitin me Zelenskyn, tha se Ukraina ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme ushtarake.

“Ukraina duhet të marrë gjithçka që i nevojitet për të mbrojtur veten dhe për t’i bërë ballë agresionit rus. Para së gjithash, kjo nënkupton më shumë mbrojtje ajrore, më shumë municion dhe investime më të mëdha në industrinë e mbrojtjes së Ukrainës. Në të njëjtën kohë, duhet të rrisim presionin ndaj Rusisë, të forcojmë sanksionet dhe të mbyllim zbrazëtirat që Rusia i përdor për t’iu shmangur atyre”, tha Michal.

Ai vuri në pah po ashtu kërcënimin ndaj sistemit energjetik të Ukrainës përpara stinës së dimrit.

“Po e ndihmojmë Ukrainën të përgatitet për dimrin dhe të mbrojë e të rikthejë infrastrukturën kritike energjetike, e cila mbetet nën kërcënim për shkak të brutalitetit të Rusisë”, tha Michal.

Ndërkaq, Rusia vazhdoi sulmet me raketa dhe dronë në të gjithë Ukrainën.

Sipas Forcave Ajrore ukrainase, forcat ruse lëshuan gjatë natës së 23 gushtit një valë masive prej 127 dronësh sulmues në të gjithë vendin.

Zelensky paralajmëroi se Rusia po synon të rrisë ndjeshëm prodhimin e raketave balistike.

“Besoj se Rusia mund të prodhojë deri në 1.300 raketa balistike në vit. Tani ka 600-630. Përafërsisht e kuptojmë se sa prej tyre synon të prodhojë nga sot deri në fund të dimrit. Mund të ketë rreth 100 raketa balistike në muaj. Por, ende nuk i ka kaq”, tha ai.

Zelensky tha se Ukraina po punon për ta dobësuar industrinë ushtarake të Rusisë, përfshirë përmes sulmeve ndaj caqeveushtarake dhe masave të tjera që synojnë uljen e prodhimit të raketave balistike.

Këto shifra të përmendura nga Zelensky nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Partnerët evropianë të Ukrainës pritet të takoheshin në Kiev më 24 gusht.

Koalicioni i të Vullnetit, i udhëhequr nga Londra dhe Parisi dhe i përbërë nga 34 vende që mbështesin Ukrainën, do të takohet në kryeqytetin ukrainas në format hibrid, me disa liderë që do të marrin pjesë fizikisht dhe të tjerë përmes video-lidhjes.

Para takimit, Zelensky theksoi urgjencën e sigurimit të fondeve evropiane për mbrojtjen e Ukrainës, duke i bërë thirrje Parlamentit Evropian të miratojë legjislacionin e nevojshëm për zhbllokimin e këtyre mjeteve.

“Ne pritet të marrim 30 miliardë euro financim evropian… Kjo lidhet me miratimin e legjislacionit përkatës”, tha ai. “Është shumë e rëndësishme që këtu Parlamenti Evropian të punojë, i gjithë parlamenti, përfshirë opozitën. Sepse [këto para] nevojiten për mbrojtjen e të gjithë vendit”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, dhe kryeministri britanik, Andy Burnham, do të bashkëdrejtojnë takimin, i cili do të fokusohet në vazhdimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, mbrojtjen ajrore dhe marrëveshjet afatgjata të sigurisë. Si Macroni, ashtu edhe zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Sekerinska, do t’i bashkohen samitit përmes video-lidhjes.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*