Prishtinë, 24 gusht 2026 – Çifti amerikan Joseph e Shirley Cloyes DioGuardi, të njohur për mbështetjen e jashtëzakonshme të Kosovës në të gjitha periudhat e krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës, tash e tutje mund të emërtohet edhe si çifti amerikano-kosovar.
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ua ka dorëzuar atyre dekretin e shtetësisë së Kosovës, duke shprehur kështu mirënjohjen e thellë të qytetarëve të Kosovës për angazhimin e tyre të palodhur për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë agresionit të Serbisë, për rindërtimin e Kosovës së shkatërruar gjatë luftës dhe për krijimin, zhvillimin e progresin e shtetit të Kosovës.
“Kosova është shtet i ri, por para se të ishte shtet dhe para se ta fitonte lirinë kishte njerëz që i dolën zot, ndaj ne e kemi për detyrë të mos harrojmë kush janë ata njerëz. Joseph dhe Shirley DioGuardi janë ndër ata miq që Kosova i pati pranë para se emri i saj të zinte vend në agjendën e politikës amerikane”, ka thënë Haxhiu në ceremoninë e mbajtur me rastin e dorëzimit të dekreteve të shtetësisë së Kosovës për Joe e Shirley DioGuardin.
Haxhiu ka folur për historinë e lidhjes së Joe DioGuardit me çështjen shqiptare.
“Përkushtimi juaj ndaj çështjes shqiptare kishte pas vetes një trashëgimi shumë më të vjetër se jeta juaj politike. Ajo vinte nga familja juaj arbëreshe, nga Greci i Italisë, prej një bashkësie që, shekuj pasi ishte shkëputur nga trojet e të parëve, vazhdonte ta ruante shqipen, kujtesën e prejardhjes dhe lidhjen me botën shqiptare. Babai juaj ishte pesëmbëdhjetë vjeç kur u nis nga Greci për në Amerikë. Kur e kthyet në vendlindje në vitin 1974, pas dyzet e pesë vjetësh larg, ai u foli përsëri shqip njerëzve me të cilët kishte kaluar fëmijërinë. Gjuha kishte mbijetuar largësinë, kohën dhe një jetë të tërë në një kontinent tjetër”, ka thënë ajo.
“Kjo trashëgimi, që për shumë breza kishte jetuar si kujtesë familjare, te ju mori edhe trajtën e angazhimit politik”, ka theksuar Haxhiu.
Duke e vlerësuar angazhimin e hershëm politik të DioGuardit për Kosovën dhe bashkëpunimin me komunitetin shqiptar në Amerikë, Haxhiu ka kujtuar se DioGuardi e kishte ngritur në Kongresin amerikan çështjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi qysh në vitin 1986.
“Kur shqiptarët e Amerikës ju folën për Kosovën në mesin e viteve tetëdhjetë, ju ishit një kongresmen i ri, teksa për Kosovën në Washington dihej fare pak. Në vitin 1986 e ngritët në Kongresin e Shteteve të Bashkuara çështjen e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi”, ka thënë ajo.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës ka thënë se nxjerrja në dritë e politikës së Serbisë e Jugosllavisë ndaj shqiptarëve në ato vite nuk ishte një punë e lehtë.
“Duhej të dëshmohej një padrejtësi që pak njerëz e njihnin, të përballohej kundërshtimi i një diplomacie shtetërore që kishte rrënjë e miq të vjetër në Washington dhe t’u shpjegohej ligjvënësve amerikanë se pas fjalorit zyrtar të Jugosllavisë së asaj kohe qëndronte një popull, të cilit po i cenoheshin vazhdimisht dhe në mënyrën më brutale të drejtat themelore. Ju e nisët këtë punë shumë vjet përpara se represioni sistematik, vrasjet, masakrat dhe dëbimi masiv nga ana e politikës kriminale të Serbisë e shndërruan Kosovën çështje të politikës botërore”, ka thënë ajo.
Haxhiu e ka vlerësuar punën e jashtëzakonshme të çiftit DioGuardi me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
“Me themelimin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në vitin 1989, ajo punë mori një shtrirje tjetër. Ju u kthyet në Kosovë, patë nga afër çfarë po ndodhte, takuat njerëzit që po artikulonin rezistencën politike e intelektuale të shqiptarëve dhe, bashkë me Tom Lantosin, e sfiduat haptas politikën e Sllobodan Millosheviqit në një kohë kur kjo kërkonte edhe guxim personal”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar rolin e DioGuardit e të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në afirmimin e çështjes së Kosovës në Uashington.
“Në Uashington ndërkohë u krijua një rreth gjithnjë e më i gjerë njerëzish që u njohën me Kosovën dhe ishin të gatshëm të merreshin me të. Tom Lantos, Bob Dole, Ben Gilman, Claiborne Pell dhe shumë të tjerë u bënë emra që shqiptarët do t’i mësonin e do t’i mbanin përherë në mendje. Në krijimin dhe ushqimin e atyre lidhjeve, Lidhja Shqiptaro-Amerikane dhe ju vetë patët një rol që la gjurmë në historinë së marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thwnw se Joe DioGuardi, bashkë me aktivistë të komunitetit shqiptar në Amerikë, e kanë përfaqësuar në mënyrën më të denjë në SHBA aspiratat e popullit të Kosovës.
“Në ato vite, Kosova nuk kishte ambasadë në Uashington, as diplomaci shtetërore që ta përfaqësonte. Atë zbrazëti e mbushën, sa mundën, mërgata jonë dhe miqt si ju, duke ndërtuar lidhje me politikën amerikane, duke sjellë dëshmi nga Kosova dhe duke i hapur çështjes sonë dyer që deri atëherë kishin qenë të mbyllura”, është shprehur Haxhiu.
Ajo e ka vlerësuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të zonjës Shirley Cloyes DioGuardi në afirmimin e çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me përvojën tuaj në botim, shkrim dhe analizë të politikës së jashtme, ju u shndërruat në një kroniste duke dëshmuar, dokumentuar dhe argumentuar për Kosovën, ngase nuk mjaftonte vetëm të kërkohej mbështetje. Duhej të njihej historia e saj, të kuptoheshin mekanizmat e represionit, të ndiqej ajo që po ndodhte në terren dhe t’u përgjigjej, me fakte, paraqitjeve që për vite me radhë kishin shtrembëruar, gënjyer e falsifikuar për pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Këtë punë e bëtë në shkrime, raporte, dëshmi para Kongresit, takime me politikëbërës e diplomatë dhe në paraqitje të shumta publike”, është shprehur Haxhiu, duke iu drejtuar zonjës DioGuardi.
Ndër të tjera, ajo e ka vlerësuar edhe dëshminë e zonjës DioGuardi në procesin gjyqwsor kundër ish-president it të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, të akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Kosovë, në Tribunalin Penal Ndërkombëtar në Hagë, në vitin 2002.
“Edhe atëherë, si shumë herë më parë, puna juaj ishte dëshmi, pra ju e dëshmoni me fakte atë që Serbia e kishte bërë me vite kundër shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar se çifti DioGuardi meriton mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e madhe për pavarësinë e Kosovës.
“Pas qershorit të vitit 1999, Kosova kishte një betejë tjetër përpara, betejën për ta kthyer lirinë e fituar në një status të qëndrueshëm politik dhe, më pas, në shtetësi. Faleminderit për mbështetjen e madhe që i keni dhënë Kosovës në periudha shumë të vështira!”, u është drejtuar ajo çiftit DioGuardi.
Ajo ka theksuar se për të ishte nder i veçantë që zotit Joseph DioGuardi dhe zonjës Shirley Cloyes DioGuardi t’ua dorëzojë personalisht dekretet e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
“Ju keni qenë miq të Kosovës shumë përpara se ajo të bëhej shtet. Prej sot, jeni edhe qytetarë të saj! Për mua është nder i veçantë t’jua uroj shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe t’ju them: mirë se vini në mesin e qytetarëve të saj. Mirë se vini në shtetin tuaj të dytë, në Republikën e Kosovës!”, është shprehur Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovë, Albulena Haxhiu.
Joe dhe Shirley Cloyes DioGuardi, mes emocionesh për mirënjohjen që u shprehet nga e para e shtetit të Kosovës. Shirley Cloyes DioGuardi ka thënë se dhënia e shtetësisë së Kosovës është më shumë se një akt simbolik.
“Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë që na është dhënë shtetësia e vërtetë. Nuk është thjesht shtetësi simbolike. Është shtetësi e vërtetë dhe njohje e vërtetë e statusit tonë si qytetarë të Kosovës. Pra, ne nuk jemi thjesht qytetarë simbolikë të Kosovës. Ne jemi qytetarë të vërtetë të Kosovës”, ka thënë ajo.
Joe DioGuardi ka folur për familjen e tij, për rrugëtimin e tij politik dhe për angazhimet e tij për Kosovën. Ai ka thënë se procesi i krijimit të shtetit të Kosovës ishte shumë i ndërlikuar, duke shtuar se shteti I Kosovës përballet ende me sfida të shumta në rrugën e zhvillimit dhe progresit.
DioGuardi ka theksuar se sfidë madhore sot është, siç është shprehur, “krijimi i një kombi të konsoliduar” në Kosovë.
“Tani po përpiqemi të krijojmë një komb të ri të quajtur Kosovë. Ne nuk kemi nevojë vetëm për një shtet. Ne kemi nevojë për një komb dhe ky komb tani po sulmohet nga armiqtë e popullit shqiptar”, ka thënë ai.
Ish-kongresisti Joe DioGuardi ka shprehur pikëpamjet e tij edhe lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë. Ai ka thënë se subjektet politike duhet të arrijnë sa më parë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re të vendit. Ai ka paralajmëruar se zgjatja e ngërçit politik në të cilin ndodhet Kosova mund të jetë me pasoja.
“Unë jam këtu me ju për t’u siguruar që ju të keni një president dhe shpresoj që kjo të ndodhë para se unë të largohem. Nëse nuk ndodh para se të largohem unë, ju do të jeni në telashe të mëdha, sepse tashmë keni armiq të gatshëm për të prishur ekuilibrin aktual në Ballkan”, ka thënë Joe DioGuardi.
“Kjo nuk është koha për të fjetur, sepse ka njerëz që janë të gatshëm t’jua marrin atë që keni”, ka theksuar ai.
Joseph e Shirley Cloyes DioGuardi janë dekoruar më parë edhe me Medalje Presidenciale për punën dhe kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.








(r.m.)